Më 19 shkurt 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Thomson Foundation ka realizuar trajnimin me temë “Standardet e GJEDNJ-së sipas nenit 8 të Konventës Evropiane dhe të drejtës për jetë private”.
Ky trajnim kishte për qëllim avancimin e njohurive për rregullimin kushtetues dhe ligjor për të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të drejtën për jetë private në Kosovë si dhe të kontribuoj në vlerësimin e balancimit të së drejtës së lirisë së shprehjes ndaj së drejtës për liri në jetën private sipas praktikës së GJEDNJ-së.
Fillimit në këtë trajnim u elaborua korniza ligjore vendore që mbulon këtë fushë si dhe praktikat e deritanishme pranë Gjykatave në Kosovë për raste të kësaj natyre, rrethanat e ndjekjes penale për çështjet që prekin të drejtën e privatësisë, respektimi i privatësisë në procedurën penale si dhe privatësia në institucionet korrektuese.
Me tej, u trajtuan standardet dhe praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut me fokus në nenin 10 për të drejtën e lirisë së shprehjes dhe nenin 8 për të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare të KEDNJ-së. Në këtë kontakst u diskutua për rrethanat e caktuara kur e drejta e privatësisë mund të kufizojë të drejtën e lirisë së shprehjes si dhe balancimi i të drejtës së lirisë së shprehjes ndaj së drejtës për liri në jetën private ku u elaboruan raste nga praktika e GJEDNJ-së.
Në pjesën e fundit të këtij trajnimi, pjesëmarrësit u ndanë në grupe punuese dhe zhvilluan simulim të gjykimit pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për një rast studimor.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor, zyrtarë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, avokat, zyrtarë nga Komisioni i Pavarur i Mediave, BIRN dhe KDI.
19-02-2016