Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

24-02-2016

Gjurmimi, sekuestrimi, konfiskimi i pasurisë së fituar me vepër penale

Më 24 shkurt 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme, në bashkëpunim me projektin e BE-së për asistencë të Agjencisë për Sekuestrim dhe Konfiskim të Aseteve, implementuar nga B&S Europe ka realizuar trajnimin me temë “Gjurmimi, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë se fituar me vepër penale”.

Në fokus të trajnimit ishte korniza ligjore vendore dhe ndërkombëtare përfshirë edhe metodologjinë (direkte dhe indirekte) e cila përdoret për gjurmimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale përfshirë edhe përdorimin e tyre.

Në kuadër të trajnimit u trajtua edhe korniza ligjore lidhur me administrimin dhe caktimin e pasurive të marra apo të konfiskuara nga krimi i organizuar. Në veçanti nga trajnuesi ndërkombëtar u elaborua rrugëtimi i Mbretërisë së Bashkuar lidhur me pasurinë e konfiskuar, të ripërdorur nga shteti. Po ashtu, u krahasuan përparësitë dhe dobësitë e kornizës ligjore të Britanisë së Madhe dhe sistemi ligjor në Kosovë.

Trajnimi u zhvillua përmes diskutimeve të pjesëmarrësve lidhur me konfiskimin e të hyrave nga veprat kriminale në Kosovë për të identifikuar ngecjet në sistem bazuar në rastet nga praktikat më të mira të lidhura me përdorimin institucional dhe social të pasurive të konfiskuara siç janë: përdorimi institucional nga Qeveria, përdorimi institucional nga autoritetet lokale si dhe përdorimi nga autoritetet lokale direkte dhe indirekte.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë vendor të nivelit themelor.

Shpërndaje :