Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

26-02-2016

Programi praktik i trajnimit në Strasburg

Nga 22-26 shkurt 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Këshillin e Evropës organizuan një program trajnimi praktik për gjyqtarët e nivelit themelor në Strasburg.

Qëllimi i këtij programi ishte që pjesëmarrësit të njihen me sistemin e funksionimit dhe punën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ngritjen e njohurive rreth çështjeve që ndërlidhen me të drejtat e njeriut, procedimit dhe zhvillimit të seancave gjyqësore në këtë gjykatë si dhe mënyrën e funksionimit të organit të Komisionerit për të drejtat e njeriut dhe organeve të cilat kanë për qellim promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Gjatë këtij programi praktik vëmendje të veçantë i është kushtuar mandatit dhe metodave të punës së Komisionit Evropian për Parandalimin e Torturës ose Dënimeve, trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese,  rolit dhe mandatit të përfaqësuesve të të drejtave të njeriut të Këshillit të Evropës,  Kartës Sociale Evropiane dhe Komisionit Evropian për të Drejta Sociale.

Në vazhdim të programit praktik janë vënë në pah edhe luftimi i diskriminimit në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, Këshilli Drejtues për të Drejtat e Njeriut dhe reforma e gjykatës, Konventa për Veprimet Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe mekanizmat monitorues si dhe Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Jo-tolerancës e po ashtu edhe ekzekutimi i aktgjykimeve të GJEDNJ.

Gjatë kësaj vizite pjesëmarrësit patën rastin të përcjellin edhe një seancë gjyqësore në Dhomën e Larte të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me lëndën e shqyrtimit të kontestit kundër Shtetit te Suedisë.

Pjesëmarrës në këtë vizitë ishin gjyqtarët e nivelit themelor nga të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës.

Shpërndaje :