Sot, më 11 tetor 2022, Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, projekti i iPROCEEDS, janë duke e zhvilluar trajnimin hyrës për gjyqtarët dhe prokurorët në fushën e Krimit Kibernetik dhe Provave Elektronike.
Meqenëse rritja e përdorimit dhe zhvillimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit shkon paralelisht me rritjen e krimeve të kryera kundër ose nëpërmjet përdorimit të sistemeve kompjuterike, Akademia e Drejtësisë, përmes këtyre trajnimeve synon që të ngris kapacitetet profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve, zyrtarëve policor, në ballafaqimin dhe trajtimin e këtyre rasteve.
Kursi fillestar i trajnimit për krimin kibernetik është një kurs i rëndësishëm dhe i domosdoshëm pasi jep bazën e njohurive për gjyqtarët, prokurorët dhe gjyqtarët e tjerë mbi krimin kibernetik. Trajnimi duhet të jetë në gjendje t'u japë pjesëmarrësve një zotërim të mirë të koncepteve bazë mbi krimin kibernetik dhe tema të tjera të ngjashme.
Meqenëse trajnimi do jetë tre (3) ditor, dhe do vazhdohet edhe me një ditë tjetër si formë punëtorie, trajnimi është ndarë në sesione të ndryshme trajnimi.
Në ditën e parë do të diskutohen njohuritë bazike të pjesëmarrësve në internet, si dhe çështjet bazike të Konventës së Budapestit.
Në ditën e II-të do të trajtohen provat elektronike, dispozitat themelore të Konventës së Budapestit me theks të veçantë veprat kundër identitetit, dhe veprat penale që lidhen me përmbajtjen në kompjuter.
Dita III dhe IV do jenë më shumë si përmbledhje e ditës I dhe II, si dhe do shtjellohen edhe çështjet procedurale që rrjedhin nga Konventa e Budapestit, masat mbrojtëse, bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e krimit kibernetik si dhe vështrim lidhur me hetimet e krimit kibernetik (LEA dhe/ose ndjekja).
Përfitues të trajnimit janë Gjyqtarë, Prokurorë, zyrtarë policorë, avokat.
11-10-2022