Më 17 mars 2016, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV), Instituti Gjyqësor i Kosovës, ka realizuar trajnimin me temë “Konflikti i interesit”.
Ky trajnim kishte për synim të kontribuoj në avancimin e shkathtësive të gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’i identifikuar problemet, parregullsitë dhe implikimet në kuadër të këtij aktiviteti kriminal, si dhe të thellojnë njohuritë rreth mekanizmave të veprimit dhe formave të përfitimit tek rastet e konfliktit të interesit.
Në kuadër të këtij trajnimi u ebalorua korniza ligjore që rregullon këtë fushë, me fokus Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, si akti kryesor juridik për parandalimin e këtyre veprimeve inkriminuese, si dhe ligjet dhe aktet tjera nënligjore të fushave përkatëse. Më tej, u trajtua konflikti i interesit si vepër kundërvajtëse, sanksionet dhe masat siguruese, si dhe konflikti i interesit si vepër penale. Në këtë kuadër u shtjelluan format e kryerjes së kësaj vepre penale, interesi publik dhe privat si dhe pasojat që shkakton kryerja e këtyre veprimeve.
Trajnimi u zhvillua në atë formë, që përmes shpjegimeve teorike dhe diskutimeve interaktive, u trajtuan të gjitha dilemat rreth temave në fokus të trajnimit.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor si dhe zyrtarë policorë.
17-03-2016