Më 22-23 prill 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës, me mbështetjen e GIZ ka realizuar trajnimin “Program i Specializuar Trajnimi për Zhvillimin e Kapaciteteve në Luftën Kundër Korrupsionit - Sesioni II”.
Ky sesion trajnimi kishte për synim avancimin e njohurive lidhur me analizat forenzike, ngritjen e shkathtësive për përgatitjen e planeve hetuese në koordinim mes institucioneve relevante në drejtim të luftimit efikas të veprave penale të kësaj natyre.
Fillimisht në kuadër të këtij sesioni u prezantua struktura, roli dhe funksioni i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, metodat e saj të punës, mundësitë që ajo ofron gjatë kërkimit të analizave forenzike nga gjyqtarët dhe prokurorët në këtë Agjenci.
Më tej, në këtë sesion u elaborua përdorimi i masave të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit për zbulimin e korrupsionit, llojet, kushtet, personat kompetent për të lëshuar këto masa, përmbajtja dhe kohëzgjatja e urdhrave për lëshim të masave si dhe ndihma e organeve tjera për zbatimin e këtyre masave.
Sesioni trajnues u zhvillua në formë interaktive, ku u diskutua rreth sfidave dhe vështirësive specifike që paraqiten si problematike në praktikë në drejtim te zbatim të drejtë të dispozitave ligjore dhe luftimin e veprave korruptive.
Përfitues të këtij sesioni trajnues ishin gjyqtarë të nivelit themelor dhe të apelit dhe prokurorë të nivelit themelor, të cilët kanë vijuar dhe sesionin e parë të këtij programi.
22-04-2016