Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

11-05-2016

Likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore

Më 11 maj 2016, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV), IGJK ka realizuar trajnimin me temë “Likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore”.

Trajnimi kishte për qëllim trajtimin e dilemave rreth interpretimit dhe implementimit të drejtë të dispozitave përkatëse të Ligjit për Likuidimin e Ndërmarrjeve Shoqërore dhe koncepteve themelore të këtij ligji.

Në kuadër të këtij trajnimi u elaboruan procedurat fillestare, si bazat për inicimin e rasteve të likuidimit dhe vendimeve për likuidim, njoftimi për likuidim, pasojat e vendimit të bordit për likuidim dhe pezullimi i veprimeve. Më tej u trajtuan dispozitat e ligjit që i referohen bazave dhe procedurave për likuidimin e aseteve të tyre, konstituimit të autoriteve të likuidimit, çështjeve që kanë të bëjnë me kreditorët, takimit të kreditorëve dhe dëshmitë e kërkesave, anulimit të transaksioneve, pronës së ndërmarrjes në likuidim dhe mbylljes së rastit të likuidimit.

Trajnimi u zhvillua me diskutime në mënyrë interaktive, në formë bashkëbisedimi u shqyrtuan dhe zbërthyen konceptet themelore lidhur me procedurat, të drejtat dhe detyrimet e të gjitha palëve të përfshira në çështjet e likuidimit.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë nga Gjykata Supreme e Kosovës, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe gjyqtarë nga Gjykata e Apelit.

Shpërndaje :