Më 05-07 prill 2016, IGJK në kuadër të Programit të Trajnimeve të Vazhdueshme (PTV), me mbështetjen projektit të BE-së “Fuqizimi i Kapaciteteve për Hetimin Penal kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, ka realizuar trajnimin me temë “Veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës me theks të veçantë terrorizmin”.
Trajnimi u përqendrua në elaborimin e veprimeve hetimore, rëndësinë e fazës hetimore policore, hetimit proaktiv dhe reaktiv si forma të grumbullimit të informacioneve në fazën e shkëmbimit të informatave në lidhje me zbulimin, hetimin dhe gjykimin e veprave penale terroriste. Po ashtu u trajtua edhe ngritja e kapaciteteve të institucioneve në mbledhjen, analizimin e inteligjencës për të identifikuar me kohë dhe kuptuar kërcënimet terroriste si dhe ngritja e kapaciteteve për reagim dhe hetim të këtyre veprave penale.
Njëkohësisht u diskutua për ngritjen e bashkëpunimit bilateral me vendet fqinje si dhe bashkëpunimin ndërkombëtarë duke përfshirë edhe institucionet relevante ndërkombëtare të zbatimit të ligjit për të përforcuar përpjekjet për shkëmbimin e inteligjencës me qëllim të pengimit apo shkatërrimit të aktiviteteve terroriste brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës.
Trajnimi u zhvillua në formë interaktive, ku përmes shpjegimeve teorike dhe diskutimeve, u trajtuan të gjitha dilemat rreth temave në fokus të trajnimit.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë, prokurorë si dhe zyrtarë nga Policia e Kosovës.
07-04-2016