Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

28-04-2016

Procedura dhe vendimi paraprak në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian

Më 28 prill 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV, me mbështetjen e UNDP-së, ka realizuar trajnimin me temë “Procedura dhe Vendimi Paraprak në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive të gjyqtarëve në tematikën se si vihet në lëvizje procedura për vendimin paraprak, cilat çështje mund të adresohen përmes këtij vendimi, cilat janë procedurat para GJDBE-së dhe si vepron gjykata referuese pas marrjes së vendimit paraprak në çështjen e referuar?

Po ashtu u trajtuan edhe efektet e këtyre vendimeve dhe zbatimi i tyre nga gjykatat nacionale si dhe procedura dhe etapat që zhvillohen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe veçoritë e saja.

Trajnimi u fokusua edhe në elaborimin e dilemave që paraqiten në praktikën e gjykatave nacionale lidhur me referimin paraprak kur dërgojnë pyetje në GJDBE lidhur me interpretimin e së drejtës së Bashkimit Evropian. Trajnimi ishte në funksion të përgatitjes se gjyqtarëve dhe prokurorëve me njohuritë e së drejtës evropiane dhe procedurat që zhvillohen në institucionet gjegjëse të BE-së, meqenëse Republika e Kosovës si vend i rrethit juridik-evropian aktualisht është ne fazën e procesit integrues evropian ku pos harmonizimit të legjislacionit me standardet e BE-së rëndësi po i kushton reformave në sistemin gjyqësor.

Përfitues  në këtë trajnim ishin gjyqtarë të gjykatave themelore dhe të Gjykatës së Apelit, dhe bashkëpunëtorët profesional. 

Shpërndaje :