Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

20-04-2016

Marrja dhe pranueshmëria e provave

Më 18-20 prill 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Projektin e Binjakëzimit “Fuqizimi i Kapaciteteve në hetimet penale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit” i financuar nga BE, ka realizuar trajnim me temë “Marrja dhe pranueshmëria e provave”.

Ky trajnim kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale të akterëve pjesëmarrës gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit lidhur me vlerësimin e provave, me fokus të veçantë në besueshmërinë e dëshmive dhe çështjeve që lidhen me dëshmitë e dëshmitarëve.

Fillimisht në këtë trajnim u elaboruan dëshmitë, metodat e analizës së dëshmive, llojet e dëshmive, duke përfshirë: dokumentet, ekspertët, objektet e inspektimit dhe deklaratat e të pandehurit apo akuzuarit. Me tej trajnimi u fokusua në dëshmitarët, llojet e tyre, deklaratat  dhe shkaqet për dëshmi të rreme nga ana e tyre. Në këtë kontekst u diskutua lidhur me rolin e dëshmitarit, besueshmërinë e deklaratës së tij si të besueshme apo jo dhe inicimi i procedurës penale për deklaratë të rrejshme.

Në fazën e fundit të trajnimi u shtjellua marrja në pyetje e dëshmitarëve, teknikat e marrjes në pyetje si dhe rëndësia dhe mënyrat e përgatitjes së dëshmitarit paraprakisht për marrje në pyetje.

Në cilësi të trajnuesit në këtë trajnim ishte një eksperte nga Gjermania, e cila kishte qasje interaktive me pjesëmarrësit duke diskutuar bashkërisht rreth praktikave Gjermane në këtë fushë, dhe duke trajtuar sfidat që hasen në praktikën gjyqësore vendore.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor, dhe zyrtarë nga Policia e Kosovës.

Shpërndaje :