Më 13-14 maj 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV), me mbështetjen e GIZ ka realizuar trajnimin “Program i specializuar trajnimi në forcimin e kapaciteteve në luftimin e krimit kibernetikë - Sesioni I”.
Ky trajnim kishte për synim që gjyqtarët dhe prokurorët të njohin elementet kyçe dhe tendencat aktuale të krimit kibernetik në mënyrë që të ndërtohen dhe fuqizohen kapacitetet profesionale në luftimin e kësaj dukurie negative.
Në kuadër të këtij sesioni trajnues u elaborua korniza ligjore që trajton në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë krimet kibernetike, rreziqet dhe kërcënimet me të cilat përballet shoqëria në ditët e sotme nga sulmet kibernetike. Në fokus të këtij sesioni ishin dhe shtjellimi i krimit kibernetik si dukuri, sistemi kompjuterik dhe mënyra e funksionimit të tij në përgjithësi, programet kompjuterike qëllimkëqija dhe vështirësitë që hasen në gjurmimin dhe zbulimin e kryerësve të krimeve kibernetike.
Më tej u trajtuan dhe format e kryerjes së veprave penale në fushën e krimeve kibernetike, ku sipas të dhënave të prezantuara, shënjestra kryesore e sulmeve kibernetike në Kosovë deri më sot kanë qenë llogaritë e shfrytëzuesve, sistemi bankar dhe ueb faqet në Internet.
Në këtë kuadër u diskutuan problemet themelore rreth ndjekjes penale, pornografia e fëmijëve si formë e veprave të kësaj natyre dhe terrorizmi kompjuterik si fenomen global.
14-05-2016