Më 17-18 maj 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV), në bashkëpunim me EULEX dhe UNWOMEN ka organizuar trajnimin me temë “Krimet e luftës me fokus në dhunën seksuale”.
Ky trajnimi u organizua me qëllim të avancimit të njohurive dhe përgatitjes profesionale të hetueseve, prokurorëve dhe gjyqtarëve, për aspektet e hetimit, ndjekjes dhe gjykimit të rasteve të konfliktit të ndërlidhura me krimet e luftës me elemente të dhunës seksuale.
Në kuadër të këtij trajnimi dy ditor, u elaborua ligji i aplikueshëm në Kosovë përfshirë dhe legjislacionin penal ndërkombëtar, elementet e veprave të dhunës seksuale, aspektet praktike dhe rregullat procedurale të dokumentimit të krimeve të kësaj natyre, dhe strategjia e të provuarit në mënyrë adekuate në procedurë. Më tej u trajtuan teknikat e intervistimit, marrja e dëshmive dhe llojet e provave si dhe përgatitja e rasteve për krimet e dhunës seksuale.
Gjithashtu u diskutua rreth masave mbrojtëse dhe rëndësisë së krijimit të një skeme efikase për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve nga veprat e kësaj natyre. Në fazën e fundit të trajnimit u trajtuan forma të ndryshme të përgjegjësisë penale individuale, duke përfshirë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë dhe përgjegjësinë komanduese.
Metodologjia e aplikuar në këtë trajnim ishte e formatit interaktiv, me diskutime dhe raste praktike.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të nivelit themelor dhe të apelit, prokurorë të nivelit themelor dhe atij special si dhe hetues policor nga Departamenti për Krime Lufte në Policinë e Kosovës.
17-05-2016