Më 05 maj 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV), ka realizuar trajnimin me temë “Mbrojtja gjyqësore në kontestet nga marrëdhënia e punës”.
Trajnimi kishte për qëllim që nga pjesëmarrësit të analizohet në thellësi legjislacioni i zbatueshëm që i referohet mbrojtjes gjyqësore në kontestet nga marrëdhënia e punës, dhe në këtë formë të kontribuoj në krijimin e praktikave uniforme në zbatimin e drejtë të dispozitave të ligjeve përkatëse që mbulojnë këtë fushë.
Në kuadër të këtij trajnimi u elaboruan kontestet nga marrëdhënia e punës sipas Ligjit të Punës dhe Ligjit për Shërbimin Civil, dallimi në mes kontesteve për shërbyesit civil dhe kontestet tjera nga marrëdhënia e punës, llojet e kontratave të punës si dhe shkaqet e shkëputjes së kontratës së punës sipas Ligjit të Punës dhe Ligjit për Shërbyesit Civil.
Më tej, u trajtua procedura gjyqësore për mbrojtjen e të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe respektimi i afateve për të kërkuar mbrojtje, më saktësisht shterimi i mjeteve të brendshme juridike për të fituar të drejtën e kërkimit të mbrojtjes gjyqësore dhe pasojat juridike për mosrespektimin e këtyre afateve.
Trajnimi u zhvillua përmes diskutimeve interaktive të pjesëmarrësve, të cilët paraqitën pikëpamjet nga këndvështrimi i tyre, për çështjet në fokus të trajnimit, si legjislacioni i zbatueshëm, dhe kompetenca e gjykatave në rastet e kërkimit të mbrojtjes gjyqësore në kontestet nga marrëdhënia e punës.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të nivelit themelor dhe bashkëpunëtorët profesional.
05-05-2016