Më 27-28 maj 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV, me mbështetjen e GIZ ka realizuar trajnimin “Program i specializuar trajnimi në forcimin e kapaciteteve profesionale në luftimin e shpëlarjes së parave - Sesioni I”.
Ky sesion trajnimi kishte për synim avancimin e njohurive profesionale në identifikimin dhe klasifikimin e veprave penale të shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, në njohjen dhe analizimin e punës së institucioneve financiare dhe obligimet që i kanë këto institucione në drejtim të forcimit të kapaciteteve për luftimin e dukurive të kësaj natyre.
Në kuadër të këtij sesioni trajnues u elaborua korniza ligjore që mbulon këtë fushë, përfshirë dhe ndryshimet dhe risitë që përmban ligji i ri për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Në këtë kontekst u zbërthyen format e kryerjes, fazat e pastrimit të parave dhe mënyrat efikase për hetim, zbulim dhe ndjekje penale për pastrim të parave.
Më tej u trajtua edhe vepra penale e financimit të terrorizmit, elementet, fazat e kryerjes së kësaj vepre, indikatorët që ndikojnë në paraqitjen e saj, si dhe format adekuate për mbikëqyrjen e financimit të terrorizmit në praktikë. Po ashtu në kuadër të këtij sesioni trajnues u elaborua edhe struktura, organizimi dhe autoriteti i Njësisë së Inteligjencës Financiare (NJIF), si institucion qendror i pavarur kombëtar për inteligjencë financiare.
Në kuadër të këtij programi trajnues, do të zhvillohen dhe dy (2) sesione tjera trajnuese.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor dhe të apelit.
28-05-2016