Më 16 qershor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV), ka realizuar trajnimin me temë “Kontestet e punës me theks të veçantë tek shërbyesit civil”.
Qëllimi i këtij trajnimit ishte zbërthimi dhe trajtimi i sfidave dhe vështirësive në zbatim të legjislacionit për shërbimin civil dhe dilemave që janë krijuar lidhur me kompetencën për të vendosur lidhur me kontestet e shërbyesve civil.
Gjatë këtij trajnimi u elaborua procedura disiplinore që zhvillohet në kuadër të organit të punësimit, procedura për zgjidhjen e kontesteve dhe të ankesave, legjislacioni për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil si organ përfundimtar në procedurë administrative, dispozitat që përcaktojnë procedurën dhe afatet për zhvillimin e procedurës disiplinore brenda organit të punësimit, procedura dhe afatet e vendimmarrjes në Komisionin Disiplinor, dispozitat që përcaktojnë procedurën dhe afatet e ankimimit brenda organit të punësimit dhe në Këshill, procedura dhe afatet e shqyrtimit të ankesës në Komisionin për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave dhe në Këshill si dhe format e vendimmarrjes në Komisionin Disiplinor.
Më tej u trajtuan kompetencat e Komisionit për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Këshill, përgjegjësitë e personave përgjegjës dhe të institucioneve për zbatimin e vendimeve të Këshillit. procedura në rast të mos zbatimit të vendimit të Këshillit si dhe dispozitat e legjislacionit të ndërlidhur me funksionet dhe kompetencat e Këshillit.
Gjithashtu u elaborua procedura gjyqësore për mbrojtjen e të drejtave të punës dhe respektimi i afateve për të kërkuar mbrojtje më saktësisht shterimi i mjeteve të brendshme juridike për të fituar të drejtën e kërkimit të mbrojtjes gjyqësore dhe pasojat juridike për mosrespektimin e këtyre afateve.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të nivelit themelor dhe bashkëpunëtorët profesional.
16-06-2016