Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

23-06-2016

Deklarimi i pasurisë

Më 23 qershor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me KPK-në dhe mbështetjen e OSBE-së ka realizuar trajnimin regjional me temë “Deklarimi i pasurisë”.

Trajnimi synonte që në mënyrë të hollësishme të elaborohet neni 437 i Kodit Penal, i cili parashikon mos raportimin apo raportimin e rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave apo dobisë tjetër materiale si vepër penale dhe në këtë formë të kontribuoj në evitimin e paqartësive që ekzistojnë në praktikën aktuale gjyqësore.

Trajnimi u fokusua në shtjellimin e çështjes së ngritjes së aktakuzave rreth deklarimit të pasurisë nga neni 437 i Kodit Penal, dhe përgjigjet me anë të aktgjykimeve nga ana e gjykatës, në drejtim të dhënies së një interpretimi të drejtë rreth zbatimit në praktikë të këtij neni. Më tej trajnimi vazhdoi duke trajtuar elementet e kësaj vepre penale  të paraparë me ligj, ku u potencua se ligji është mjaft decidiv dhe nuk ka lënë hapësirë për interpretime tjera.

Metodologjia e aplikuar në këtë trajnim ishte e kombinuar me qasje inteaktive të diskutimit në drejtim të krijimit të një  sistemi të unifikuar gjyqësor dhe mbrojtjes së  këtij sistemi nga akuza të pabaza që vazhdojnë të rrënojnë besimin e publikut në drejtësi.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë, prokurorë, nga regjioni i Mitrovicës, Ferizajt dhe Gjilanit si dhe zyrtarë nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Shpërndaje :