Më datë 05-07 shtator 2016, IGJK në bashkëpunim me projektin “Bashkëpunimi Juridik Ndërkombëtarë në Drejtësinë Penale” i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga Rrjeti i Prokurorëve të Ballkanit Perëndimor, ka realizuar punëtorinë me temë “Grupet e Përbashkëta të hetimit”.
Në kuadër të punëtorisë u elaboruan çështjet rreth formimit të grupeve të përbashkëta të hetimit si dhe ndihmës së ndërsjellët juridike ndërkombëtare, praktikat e deritanishme me theks të veçantë në mbledhjen dhe shkëmbimin e provave rreth veprave penale që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe çështjet financiare. Po ashtu u trajtuan çështjet e rolit dhe funksionit të Interpolit, Europolit dhe të institucioneve tjera me rëndësi që merren me shkëmbimin e informacioneve dhe hetimin e krimit të organizuar me element ndërkombëtar.
Metodologjia e aplikuar ishte e kombinuar, me shpjegime teorike dhe diskutime interaktive si dhe puna në grupe e pjesëmarrësve.
Përfitues të këtyre trajnimeve ishin prokurorë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, prokurorët e nivelit themelor, si dhe hetues policor nga të gjitha regjionet Kosovës.
07-09-2016