Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

10-09-2016

KEDNJ dhe përdorimi i data bazës HUDOC

Me datë 09-10 shtator 2016, IGJK në bashkëpunim me UNDP në kuadër të PTV-së, ka realizuar trajnimin me temë “KEDNJ dhe përdorimi i data bazës HUDOC”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte thellimi i njohurive të pjesëmarrësve lidhur me rolin, strukturën, dhe detyrimet pozitive nga KEDNJ, dhe Protokollet e saj, mënyrat e zbatimit në praktikë, jurisprudenca dhe standardet e përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në lidhje më zbatimin nga gjykatat kombëtare.

Në këtë trajnim u  trajtua edhe kuptimi i të drejtave, interpretimi dhe procedurat për mbrojtjen e tyre të garantuara me Konventë me fokus në rastet nga praktika e GJEDNJ të cilat kanë pasur për objekt interpretimin e çështjeve të rëndësishme, që ndërlidhen me njohjen dhe zbatimin praktik të të drejtave dhe lirive themelore. Temë tjetër me rëndësi ishte edhe ajo mbi “Ndalimin e diskriminimit nga këndvështrimi i KEDNJ (Neni 14 i KEDNJ-së) dhe mbrojtja juridike kundër diskriminimit në Republikën e Kosovës si dhe Portali-HUDOC (i GJEDNJ) - si përdoret HUDOC për qëllime të zbatimit të KEDNJ dhe të praktikës gjyqësore të saj".

Gjithashtu u debatua çështja boshte se si gjykatat kombëtare do të munden t’i referohen e precedentëve të GJEDNJ dhe njëkohësisht obligimin kushtetues që përcakton neni 53 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës që interpretimi i të drejtave kushtetuese të bëhet në harmoni me vendimet e kësaj gjykate. Gjithanshëm, përmes diskutimeve dhe shembujve studimor trajnuesit elaboruan të drejtat e përcaktuara me KEDNJ dhe vendimet e rëndësishme të jurisprudencës së GJEDNJ e që do jenë udhëzime mjaft të dobishme për gjyqtarët dhe prokurorët gjatë punës së përditshme të tyre.

Ishte vlerësim i përgjithshëm se trajnimi dyditorë në përfundim të tij arriti objektivat e tij në kuptim të drejtë të nocioneve themelore të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, rolit dhe ndikimit të saj në mbrojtjen të drejtave të njeriut, kuptimit të jurisprudencës së GJEDNJ në interpretimin dhe vendosjen e standardeve në aplikimin të drejtave dhe zbatimin e drejtë në praktikë të tyre dhe precedentëve të GJEDNJ nga gjykatat kombëtare.

Përfitues te këtij trajnimi ishin gjyqtarët e nivelit themelor dhe të apelit, si dhe prokurorë të nivelit themelor.

Shpërndaje :