Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

27-10-2016

Padia, Ndryshimi i Padisë dhe Kundërpadia

Më 27 tetor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV, ka realizuar trajnimin me temë “Padia, ndryshimi i padisë dhe kundërpadia”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me padinë, ndryshimin e saj dhe kundërpadinë.

Gjatë këtij trajnimi u shtjelluan dispozitat ligjore që rregullojnë padinë, përmbajtjen e saj, ndryshimin e padisë si dhe kundërpadinë dhe mënyrat e aplikimit të këtyre dispozitave nga gjyqtarët bazuar edhe në praktikën gjyqësore. U diskutuan situatat dhe rastet kur padia është jo e plotë dhe duhet të aplikohet neni 99 i LPK-së, në cilat raste gjyqtari duhet të lejojë parashtrimin e kundërpadisë, si dhe deri në cilën fazë të procedurës lejohet ndryshimi i padisë.

Në këtë trajnim u trajtuan përmbajtja e padisë, kërkesa e caktuar në pikëpamje të çështjes kryesore dhe kërkesave aksesore, faktet mbi të cilat paditësi e bazon kërkesën dhe përfshirja e disa kërkesëpadive në një padi. Ndërsa lidhur me ndryshimin e padisë u shtjelluan çështjet lidhur me zmadhimin e kërkesëpadisë dhe parashtrimi i një kërkese tjetër krahas asaj ekzistuese dhe u shpjeguan rastet se kur lejohet ndryshimi i padisë.

Në trajnim u përdoren metoda të kombinuara të shpjegimit duke përfshire shpjegime teorike dhe praktike të përcjella me shembuj praktik.

Përfitues ishin gjyqtarët e divizioneve civile të departamenteve të përgjithshme në gjykatat themelore.

Shpërndaje :