Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

27-10-2016

Arbitrazhi dhe roli i gjykatës në çështjet e arbitrazhit

Më 27 tetor 2016, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme (PTV), IGJK ka realizuar trajnimin me temë “Arbitrazhi dhe roli i gjykatës në çështjet e arbitrazhit”.

Trajnimi kishte për qëllim që gjyqtarët të avancojnë njohuritë e tyre sa i përket arbitrazhit, si një zgjidhje alternative e kontesteve ekonomike dhe të njohin rolin e gjykatës në raport me procedurën e arbitrazhit.

Në kuadër të këtij trajnimi u shtjellua korniza ligjore që rregullon procedurën e zgjidhjes së kontesteve përmes Arbitrazhit dhe mbrojtjen juridike që gëzojnë palët pjesëmarrëse sipas legjislacionit nacional. Po ashtu u trajtuan çështjet e njohjes dhe ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit, si ato të tribunaleve vendore dhe atyre të huaja. Rëndësi e veçantë i është kushtuar mjeteve juridike në procedurën e njohjes dhe përmbarimit të vendimeve të arbitrazhit respektivisht mundësisë së kontestimit, anulimit apo mospranimit, të vendimit të arbitrazhit nga gjykatat në Kosovë.

Metodologjia e aplikuar në këtë trajnim ishte e kombinuar, me shpjegime teorike, dhe diskutime interaktive për dilemat dhe vështirësitë që hasin gjyqtarët me rastin e trajtimit të lëndëve të kësaj natyre.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë të nivelit themelor-departamenti për çështje ekonomike si dhe zyrtar ligjor nga ky departament. 

Shpërndaje :