Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

12-10-2016

Punëtori rajonale për kurrikulën e trajnimit gjyqësor për krimin kibernetik, provat elektronike dhe të ardhurat nga krimi përmes internetit

Më 11-12 tetor 2016, në Zagreb të Kroacisë, në kuadër të projektit IPROCEEDS, është mbajtur “Punëtori rajonale për kurrikulën e trajnimit gjyqësor për krimin kibernetik, provat elektronike dhe të ardhurat nga krimi përmes internetit”.

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte paraqitja dhe diskutimi i gjendjes aktuale të kurrikulave të trajnimit gjyqësor për krimin kibernetik, provat elektronike dhe të ardhurat nga interneti në vendet e Evropës Juglindore dhe Turqisë.

Fillimisht vendet pjesëmarrëse në këtë punëtori, prezantuan gjendjen aktuale të kurrikulave trajnuese në fushën e krimit kibernetik, provave elektronike dhe të ngjashme si hetimet financiare dhe masat kundër pastrimit të parave dhe të ardhurave në internet. Po ashtu, u paraqiten të arriturat, sfidat me të cilat ballafaqohen si dhe nevojat aktuale të institucioneve të trajnimit gjyqësor në ofrimin e trajnimeve adekuate në këtë fushë.  

Më tej punimet në këtë punëtori u fokusuan në elaborimin e kurseve trajnuese për krimin kibernetik, provat elektronike dhe të ardhurat e krimit në internet, si atyre bazike po ashtu edhe të avancuara, të cilat janë përgatitur dhe u paraqitën nga ekspertët e Këshillit të Evropës. Përmbajtja e këtyre moduleve u diskutua bashkërisht me delegacionet e vendeve pjesëmarrëse dhe u dhanë rekomandime për elementet shtesë të cilat i kompletojnë këto kurrlikula trajnuese.

Në këtë punëtori morën pjesë ekipet e vendeve nga rajoni i Evropës Juglindore dhe Turqia, ndërsa në ekipin nga Kosova mori pjesë edhe një përfaqësues i Institutit Gjyqësor të Kosovës, i cili ka paraqitur kurrikulën trajnuese të IGJK-së, sfidat dhe nevojat aktuale në drejtim të avancimit dhe ofrimit të programeve adekuate trajnuese në këtë fushë.

Shpërndaje :