Më 28-29 tetor 2016, IGJK në mbështetje të UNDP-së realizoi “Punëtorinë për Hartimin e Programit Trajnues për Vitin 2017”.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte që duke u bazuar në procesin e vlerësimit të nevojave për trajnime të realizuar nga IGJK, të përcaktohen temat që propozohen të jenë pjesë e programit trajnues si dhe të hartohet draft programi trajnues i IGJK-së për vitin 2017.
Programi trajnues i IGJK-së do të jetë program një vjeçar dhe do të përmbajë tema të karakterit profesional ligjor dhe atij ndërdisiplinor. Ky program reflekton nevojat e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe kërkesat e dala nga politikat dhe strategjitë e vendit për gjyqësorin.
Gjatë punëtorisë trajnuesit fillimisht analizuan propozimet e nxjerra nga mekanizmat që IGJK përdorë për vlerësimin e nevojave trajnuese, dhe bazuar në kërkesën e IGJK-së rreth strukturës së përgjithshme që duhet të përmbajë programi trajnues përcaktuan temat me prioritet që duhet të trajtohen gjatë vitit 2017.
Bazuar në strukturën e përcaktuar për programin vjetor të trajnimeve është hartuar koncepti i secilit trajnim duke u mbështetur në sfidat dhe problemet e shfaqura në praktikën gjyqësore në vend. Koncepti i secilës temë përfshinë qëllimin ku bëhet përshkrimi i temës, evidentohen dilemat dhe përshkruhet qasja në adresimin e këtyre dilemave gjatë trajnimit. Po ashtu koncepti përmban edhe përmbajtjen dhe përfituesit e trajnimit.
Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin trajnues të IGJK-së nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
29-10-2016