Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

11-10-2016

Mjetet e goditjes në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës

Më 11 tetor 2016, Instituti Gjyqësor i Kosovës në kuadër të PTV, ka realizuar trajnimin me temë “Mjetet e goditjes në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me mjetet e rregullta të goditjes dhe mjetet e jashtëzakonshme që mund të përdoren në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Në këtë trajnim u trajtuan ankesa dhe përmbajtja e saj, shkaqet nga të cilat mund të goditet aktgjykimi dhe aktvendimi, pranueshmëria e një ankese, kufijtë e shqyrtimit dhe afatet për ushtrimin e ankesës në Dhomën e posaçme si dhe mjetet e jashtëzakonshme juridike.

Në fokus të trajnimit ishin mjetet e goditjes që mund të përdoren në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme sipas Ligjit të Procedurës Kontestimore dhe Ligjit për Dhomën e Posaçme, pastaj vendimet res-judicata sipas LPK-së dhe LDHPGJS, pikat e njëjta dhe dalluese në mes të aktgjykimeve të kotumacionit sipas LPK-së dhe LDHPGJS, faktet dhe dilemat lidhur me shkaqet ankimore duke zbërthyer nenet 181,190, 197 dhe 198 të LPK-së.

Gjithashtu u trajtuan faktet, dilemat dhe sfidat lidhur me shkaqet e paraqitjes së Revizionit dhe Kërkesës për Mbrojtjen e Ligjshmërisë. Në këtë kuadër u diskutuan në hollësi dispozitat që i referohen revizionit si mjet i jashtëzakonshëm juridik-kundërshtimit të vendimeve gjyqësore të gjykatës së shkallës së dytë, si dhe dilemat që kanë të bëjnë me zbatimin e tij në praktikën juridiko-gjyqësore. U debatua gjerësisht edhe për shkaqet kur mund të paraqitet ky mjet juridik i jashtëzakonshëm juridik.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Shpërndaje :