Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me projektin Iniciativa për Sundimin e Ligjit në Ballkanin Perëndimor (WBROLI), nga data 14 nëntor 2022, ka organizuar Seminarin tre ditor me temë: Aspekte të zgjedhura të krimit të organizuar sipas praktikës së Britanisë së Madhe, udhëzuesit për dënimet e krimeve të drogës dhe krimet financiare dhe zhvillimet e provueshmërisë së provave në Britaninë e Madhe.
Propozimi për Seminar ka ardhur si rrjedhojë e vizitës së Gjyqtarit z. Nicholas Blake dhe Kryeprokurores znj. Claire Lindley nga Britania Madhe, me ç’rast është parë e nevojshme të organizohet një seminar i përbashkët me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira në luftimin e krimit të organizuar në Kosovë dhe më gjerë.
Gjatë seminarit u trajtuan format e menaxhimit të rasteve të krimit të organizuar në Skotlandë dhe Britani, pastaj sfidat dhe problemet gjatë hetimit dhe ndjekjes së kryerësve, krahasimi i legjislacionit vendor dhe ndërkombëtar. Gjithashtu pjesëmarrësit patën rastin ta shpalosin nga një rast praktik nga përvoja e tyre rreth fillimit të hetimit dhe përfundimit të një rasti të krimit të organizuar.
Përveç Gjyqtarëve nga Kosova nga niveli i Apelit dhe Departamenti special, si dhe Prokurorëve nga PSRK, dhe zyrtarëve nga Policia e Kosovës - departamenti i krimit të organizuar, pjesë e seminarit ishin edhe Gjyqtarë, Prokurorë si dhe zyrtarë Policorë nga Mali i Zi.
Meqenëse projekti i WBRLOI, është një projekt më afatgjatë, në fund të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan që kjo nismë e bashkëpunimit të vazhdojë edhe më tutje me takimet e radhës gjatë vitit 2023.
18-11-2022