Bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes Akademisë së Drejtësisë (ish IGJK) dhe Shkolla Kombëtare e Magjistraturës së Francës – ENM, prej dt. 20 shkurt deri me 10 mars dy kandidate të kësaj shkolle kanë qëndruar në Kosovë në një program praktik të trajnimit.
Objektivat e këtij programi qëndrojnë në njoftimin e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë të Francës, me sistemin gjyqësor në Kosovë, veçanërisht në ndjekjen, hetimin dhe gjykimin e veprave penale, si dhe zbatimin e dënimeve, çështjet gjyqësore familjare, kontrata dhe përgjegjësitë, të kuptuarit e dimensionit ndërkombëtar të drejtësisë dhe të kuptuarit e sistemeve të huaja të trajnimit të gjyqtarëve.
Akademia ka pasur rolin kryesor në përgatitjen e këtij programi internshipi e cila përmban trajnimin praktik që realizohet në gjykata dhe prokurori në mbështetje të gjyqtarëve/prokurorëve në cilësinë e mentorit si dhe janë organizuar takime me institucione tjera vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.
Agjenda ka filluar me një takim në Akademinë e Drejtësisë, ku janë njoftuar në përgjithësi lidhur me funksionimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, funksionet, përgjegjësitë si dhe programet që i zhvillon Akademia. Po ashtu kandidatet kanë pasur rastin të ndjekin një trajnim nga KEDNJ i cili u realizua në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar për prokurorët e sapoemëruar.
Në kuadër të agjendës së programit, kandidatet nga ENM kanë vazhduar trajnimin në Prokurorinë Themelore dhe Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mbështetjen e një prokurori dhe dy gjyqtarëve njëri në çështje penale dhe tjetri në ato civile. Kandidatet kanë pasur mundësi që të ndjekin seanca të ndryshme lidhur me procedurën e hetimit, me njoftimin më të gjerë për sistemin gjyqësor, gjykimin e veprave penale e veçanërisht veprave penale të korrupsionit dhe zbatimin e dënimeve në Kosovë.
Po ashtu, gjatë këtij programi kandidatet kanë pasur rast të ndjekin seanca të ndryshme lidhur me kontestet familjare, dhunë në familje, rolin e palëve ndërgjyqësve, dëgjimin e dëshmitarëve, çështje lidhur me kontratat dhe aspekte tjera materiale dhe procedurale në fushën civile. Theks të veçantë i është kushtuar të kuptuarit e procedurave, krahasimit të sistemeve gjyqësore të dy vendeve, si dhe shkëmbimit të përvojave në fushën gjyqësore.
13-03-2017