20-21 tetor 2022, nën organizimin e Rrjetit Evropian për Trajnime Gjyqësore (EJTN), përmes Akademisë së Drejtësisë së Kosovës, në Zagreb të Kroacisë, u mbajt trajnimi në temën: “Liria e shprehjes në Epokën Digjitale”.
Me përkrahjen financiare të Gjykatës Kushtetuese, në këtë trajnim morën pjesë edhe zyrtarët e Gjykatës: Këshilltari i lartë kushtetues-juridik, Nexhat Kelmendi dhe Drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim (ZKI), Veton Dula.
Trajnimi dy-ditor i filloi punimet me testimin e njohurisë profesionale të pjesëmarrësve përkitazi me aspekte të ndryshme të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), si dhe me pyetje të natyrës logjike në fushën e lirisë së shprehjes.
Gjatë ditës së parë të trajnimit, të gjithë pjesëmarrësit patën mundësinë që të informohen më për së afërmi me disa raste konkrete, të trajtuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), që për objekt të çështjes kishin lirinë e shprehjes dhe zbatimin e nenit 10 (Liria e Shprehjes) të KEDNJ-së.
Dita e dytë e trajnimit ndërkaq në fokus pati lirinë e shprehjes në rrjete sociale dhe në internet, si dhe keqpërdorimin e kësaj të drejte në raste të caktuara nga individë të ndryshëm, por edhe nga vetë mediat elektronike (portalet). Temë e diskutimit dhe si shembull praktik në këtë aspekt ishte edhe e drejta e përdorimit të rrjeteve sociale nga gjyqtarët, komentimi në media i rasteve në shqyrtim dhe takimet miqësore të gjyqtarëve me palët në procedurë.
Pjesë e trajnimit dy-ditor ishte edhe ndarja e të gjithë pjesëmarrësve në dy grupe punuese, të cilat së bashku me trajnerët e përzgjedhur trajtuan dhe shqyrtuan raste të ndryshme nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, që për objekt të çështjes kishin lirinë e shprehjes dhe nenin 10 të KEDNJ-së.
Trajnimi dy-ditor u përmbyll me përsëritjen e testimit të ditës së parë, për të matur njohuritë e përfituara të të gjithë pjesëmarrësve nga trajnimi i mbajtur.
21-10-2022