Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

18-03-2017

Forumi i Katërt Rajonal mbi Shtetin e së Drejtës në Evropën Juglindore

Më datë 17 dhe 18 mars 2017, përfaqësues të Akademisë së Drejtësisë kanë marrë pjesë në “Forumin e  Katërt Rajonal mbi Shtetin e së Drejtës në Evropën Juglindore” të organizuar nga  AIRE Centre dhe Civil Rights Defenders, me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Qeverisë së Suedisë, Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit dhe të GIZ-it.

Qëllimi i Forumit ishte promovimi i zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rajon, inkurajimi i bashkëpunimit në zhvillimin e vazhdueshëm të shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, si edhe asistimi në procesin e integrimit të rajonit në BE.

Në këtë forum u theksua se “Ideja krijimit të Forumit të Sundimit Rajonal të Ligjit ka lindur nga të kuptuarit se duke inkurajuar dhe lehtësuar bashkëpunimin dhe dialogun rajonal, mund të ndahen praktikat dhe mësimet më të mira diçka që është edhe e nevojshme dhe e dëshirueshme, me qëllim që të tejkalohen sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni”.

Forum i këtij viti u fokusua në të drejtën e lirisë së shprehjes në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe në veçanti marrëdhëniet e saj me të drejtën për respektimin e jetës private dhe të drejtën për gjykim të drejtë.

Punimet e këtij forumi i kanë ndjekur më shumë se 160 përfaqësues të shquar të gjykatave më të larta, Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese, Këshillat gjyqësorë, drejtorët e akademive gjyqësore, institucioneve dhe organizatave jo-qeveritare në Shqipëri, Kroaci, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina (BiH) dhe Serbisë, si dhe përfaqësues të këtyre vendeve në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

 

Shpërndaje :