Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

23-05-2023

Trajnime të avancuara për Ndërmjetësim nga fusha Penale, Pronësore, Familjare dhe Komerciale

Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me Shërbimin Federal të Ndërmjetësimit dhe Pajtimit (FMCS) të SHBA-së, të mbështetur dhe të financuar nga Zyra për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL) pranë Ambasadës së SHBA-së, në vazhdën e ngritjes së aftësive profesionale të 13 ndërmjetësuesve të licencuar si trajnues brenda AD-së, nga dt. 20 maj 2023, është duke zhvilluar trajnime të avancuara për ndërmjetësim nga fusha Penale, Pronësore, Familjare dhe Komerciale.

Qëllimi i këtyre trajnimeve është që ndërmjetësuesit e licencuar si trajner, përveç trajnimeve për trajnues të fitojnë njohuri më të detajuara edhe në disa fusha specifike të ndërmjetësimit nga ekspertët vendor lidhur me legjislacionin në fuqi.

Kështu, më 20 dhe 21 maj u trajtua Ndërmjetësimi në çështjet penale dhe pronësore me Gjyqtarët z. Agim Maliqi dhe z. Faton Ademi.

Pjesëmarrësit patën rastin të diskutojnë rreth rolit të prokurorit të shtetit dhe gjyqtarit në procedurën e ndërmjetësimit, ndërmjetësimi pronësor dhe forma e marrëveshjes, roli i gjyqtarit në vlerësimin e marrëveshjes etj.

Trajnimi vazhdoi edhe më 22 dhe 23 maj me Ndërmjetësimin në çështjet familjare dhe komerciale me trajnues Gjyqtarin e Gjykatës Supreme z. Zenel Leku dhe avokatet znj. Vjosa Shkodra dhe Njomëza Zejnullahu.

Gjatë këtyre dy ditëve u trajtuan rastet e ndërmjetësimit të detyrueshëm në çështjet familjare, besimi i fëmijëve, pasuria e përbashkët, përshtatshmëria e marrëveshjes për ekzekutim, shoqëritë tregtare, ndërmjetësimi në çështjet komerciale.

Të gjitha trajnimet u përcollën edhe me raste praktike nga trajnuesit e angazhuar. Vlen të theksohet se trajnimet u monitoruan edhe nga përfaqësuesja e FMCS znj. Emily Rife.

Përfitues të trajnimit ishin 13 ndërmjetësuesit e licencuar si trajner në Akademinë e Drejtësisë, sipas programit për Trajner në fushën e Ndërmjetësimit.

Shpërndaje :