Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

02-06-2017

Vizita e delegacionit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë në Akademinë e Drejtësisë

Prishtinë, 02 qershor 2017, U.d. Drejtori Akademisë së Drejtësisë Besim Morina, i shoqëruar nga udhëheqësit e departamenteve, priti sot në një takim një delegacion të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë (KLD), i kryesuar nga z. Gjin Gjoni anëtarë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe President i Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar i Këshillave Gjyqësorë, i shoqëruar nga anëtarët të KLD-së dhe bashkëpunëtorë tjerë.

Delegacioni i Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore,  e cila ka për qëllim diskutimet dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet institucioneve homologe të drejtësisë së dy vendeve.

Në këtë takim, U.D. Drejtori i Akademisë së Drejtësisë e informoi delegacionin e KLD-së, mbi ndryshimet ligjore dhe funksionale që kanë ndodhur me rastin e transformimit të Institutit Gjyqësor të Kosovës në Akademi të Drejtësisë.

Delegacionit shqiptar, iu bënë të njohura edhe llojet dhe mënyrat e trajnimeve të cilat i organizon Akademia e Drejtësisë si dhe kompetencat e Akademisë të përcaktuara me ligj.

Anëtari i KLD-së, Presidenti i  Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar i Këshillave Gjyqësorë z. Gjin Gjoni, vlerësoi punën e Akademisë së Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës në përgatitjen profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj dhe theksoi se kjo Akademi mund të kontribuoj shumë për një sistem gjyqësor të pavarur dhe një shtet të së drejtës.

Në vijim të takimit, anëtari i KLD-së, z. Gjoni prezantoi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë, duke u ndalur në mënyrë specifike në vështirësitë dhe problemet që ka sot sistemi gjyqësor.

Gjatë bashkëbisedimit, u evidentuan gjithashtu sfidat e përbashkëta në kuadër të përmbushjes së objektivave që secili shtet bart në vetvete në fushën e drejtësisë, si dhe njëzëri u pajtuan që të ngritët edhe më tutje bashkëpunimi në mes të dy shteteve.

Shpërndaje :