Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

18-09-2017

Krimet e urrejtjes

Më 18 shtator 2017, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me OSBE, ka realizuar trajnimin me temë “Krimet e urrejtjes”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve lidhur me kornizën ligjore të Kosovës dhe të drejtës ndërkombëtare lidhur me krimet e urrejtjes.

Gjatë këtij sesioni trajnues u trajtuan: instrumentet ndërkombëtare dhe dispozitat ligjore  vendore lidhur me krimet e urrejtjes,  teknikat për  identifikimin, hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e krimeve nga urrejtja.

Në kuadër të këtij sesioni trajnues u trajtuan edhe rrethanat e përgjithshme rënduese, që përdoren për përcaktimin e dënimit ndaj kryerësit, të cilat gjenden në paragrafin 2.12 të nenit 74 të KPK-së e që mbulon veprat penale që konsiderohet se janë kryer me motiv paragjykimi.

Me theks të veçantë u theksua se nëse vepra penale kryhet ndaj personit ose grupit të personave, ose pronës, për shkak të origjinës etnike ose kombëtare, shtetësisë, gjuhës, besimeve fetare, ose mungesës së besimeve fetare, ngjyrës, gjinisë, orientimeve seksuale, ose për shkak të afërsisë me personat me karakteristikat e lartpërmendura. Dispozita e rrethanës së përgjithshme rënduese siguron se të gjitha veprat penale që janë të përcaktuara me KPK-në, e të cilat kryhen me një motiv paragjykimi, i nënshtrohen dënimeve më të ashpra.

Trajnimi u zhvillua në formë të diskutimeve interaktive, duke vënë në pah kornizën ligjore të aplikueshme për krimet e urrejtjes dhe sfidat e vështirësitë në praktikë në rastet se ndërlidhen me këtë temë.

Përfitues të këtij trajnimi ishin: gjyqtarë, prokurorë, avokatë, bashkëpunëtorë profesional dhe policë nga regjioni i Mitrovicës.

 

Shpërndaje :