Më 30 janar 2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar për gjyqtarët e sapoemëruar, ka realizuar trajnimin praktik në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte që gjyqtarët e sapoemëruar të njoftohen me rolin, funksionin dhe përgjegjësitë e Qendrës për Punë Sociale.
Në fokus të trajnimit ishte roli i Qendrës për Punë Sociale lidhur me veprimtaritë e saj, përfshirë ofrimin e përkujdesjes dhe mirëqenies sociale, mbrojtjen, strehimin dhe parandalimin e dhunës në familje, Anamnezën apo mbledhjen e të dhënave të personave që u ofrohet ndihma, si dhe realizimi i kontaktit të fëmijës/ve me prindërit nëse është marrë vendim nga gjykata që fëmijët të bëjnë realizimin e kontakteve përmes QPS-së.
Gjatë vizitës u shtjellua edhe çështja e adoptimit të fëmijëve, kushtet të cilat duhet t’i plotësojnë prindërit adoptues për të adoptuar një fëmijë, të drejtat e fëmijëve të braktisur kur të arrijnë moshën madhore (18) vjet për t’i kërkuar prindërit e braktisur, si dhe ruajtja e informatave nga QPS-së.
Po ashtu pjesëmarrësit u informuan në mënyrë të detajuar për kategoritë e përfituese, që i trajton QPS-ja dhe shërbimet që ajo i ofron, si dhe vështirësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet në përmbushjen e përgjegjësive të saj.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e sapoemëruar të shtetit gjenerata e VI-të e PTF-së.
30-01-2018