Më 27-28 shkurt 2018, Akademia e Drejtësisë me mbështetjen e UNICEF-it, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, realizoi trajnimin nga drejtësia për fëmijë në aspektin civil “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve pa kujdes prindëror”.
Qëllimi i trajnimit ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve për zbatimin e drejtë të legjislacionit nga ana e gjyqësorit për çështjet që i referohen procedurës gjyqësore për dhënien e mbrojtjes juridike për të drejtat e fëmijëve pa përkujdesje prindërore.
Në ditën e parë trajnimit është trajtuar nocioni dhe kushtet e adoptimit si formë e veçantë e mbrojtjes së fëmijëve, nevojat për themelimin e adoptimit, legjislacioni i zbatueshëm vendor dhe ndërkombëtarë tek adoptimi. Gjithashtu u trajtuan dhe bashkëpunimi i gjykatës dhe i organit të kujdestarisë në procedurën e adoptimit si dhe vendimet e gjykatës për adoptimin.
Tutje trajnimi u fokusuan kryesisht tek format e organizuara shoqërore të përkujdesjes ndaj fëmijëve pa kujdes prindëror, dhe roli dhe bashkëpunimi i Qendrës për Punë Sociale me gjykatën në rastet e vendosjes së fëmijës në familjen tjetër.
Temat tjera që u trajtuan në ketë sesion ishin edhe kujdestaria si institut me karakter shoqëror, organi i kujdestarisë si organ kompetent për mbrojtje të drejtave të fëmijëve dhe mënyrat e ushtrimit të kujdestarisë. Në këtë pjesë po ashtu u diskutua në lidhje me ushtrimin, pezullimin, kufizimin dhe heqjen e të drejtës prindërore.
Trajnimi u realizua duke përdorur metoda të kombinuara të shpjegimi teorik dhe praktik, punë në grupe, të përcjella me shembuj nga praktika gjyqësore.
Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit themelor nga regjione të ndryshme te Kosovës, zyrtar të QPS nga regjioni i Prizrenit, zyrtare të UNICEF, si dhe zyrtarë tjerë që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve pa kujdes prindëror.
27-02-2018