Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

16-02-2018

Program intershipi i kandidatëve nga Shkolla Kombëtare e Magjistraturës së Francës -ENM

Në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes Akademisë së Drejtësisë dhe Shkollës Kombëtare të Magjistraturës së Francës – ENM,  prej datës 29 janar deri me 16 shkurt 2018, dy kandidate të kësaj shkolle kanë qëndruar në Kosovë në një program praktik të trajnimit.

Qëllimi i këtij programi qëndron në njoftimin e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë të Francës, me sistemin gjyqësor në Kosovë, veçanërisht në ndjekjen, hetimin dhe gjykimin e veprave penale, si dhe zbatimin e dënimeve, çështjet gjyqësore civile me fokus në ato familjare, kontrata dhe përgjegjësitë, të kuptuarit e dimensionit ndërkombëtar të drejtësisë dhe të kuptuarit e sistemeve të huaja të trajnimit të gjyqtarëve.

Akademia ka përgatitur agjendën e këtij programi internshipi e cila përmban trajnimin praktik që realizohet në gjykata dhe prokurori në mbështetje të gjyqtarëve/prokurorëve në cilësinë e mentorit si dhe janë organizuar takime me institucione tjera vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë. Zbatimi  i këtij programi ka filluar me një takim në Akademinë e Drejtësisë, ku janë njoftuar në përgjithësi lidhur me funksionimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, funksionet, përgjegjësitë si dhe programet që i zhvillon Akademia.

Në kuadër të agjendës së programit, kandidatet nga ENM kanë vazhduar trajnimin në Prokurorinë Themelore dhe Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mbështetjen e një prokurori dhe dy gjyqtarëve njëri në çështje penale dhe tjetri në ato civile. Kandidatet kanë pasur mundësi që të ndjekin seanca të ndryshme lidhur me procedurën e hetimit, me njoftimin më të gjerë për sistemin gjyqësor, duke filluar nga veprimet e para që i ndërmerr gjyqtari lidhur me një lëndë, pastaj shqyrtimin fillestar i dytë dhe shqyrtimi gjyqësor, pranimin e fajësisë në procedurën paraprake, trajtimi i lëndëve me paraburgim, masat e fshehta në procedurën paraprake dhe zbatimin e dënimeve në Kosovë.
  
 

Poashtu, gjatë këtij programi kandidatët kanë pasur rast të ndjekin seanca përgatitore dhe shqyrtim gjyqësor lidhur me kontestet civile, familjare, pronësore etj. Gjithashtu është prezantuar edhe përmbajtja e vendimeve gjyqësore (aktgjykimeve dhe aktvendimeve), dhe në kuadër të kësaj ka qenë mundësia e krahasimit të legjislacionit të dy vendeve, krahasimi i përmbajtjes së vendimeve gjyqësore si dhe shkëmbimi i përvojave në fushën gjyqësore. Në kuadër të agjendës është realizuar edhe një takim me dy gjyqtar të sapo emëruar që janë duke e ndjekur Programin e Trajnimit Fillestar në Akademi, me të cilët është diskutuar rreth sistemit gjyqësor në Kosovë si dhe kanë ndarë përvoja të ndryshime lidhur me aktivitet që i realizojnë në kuadër të trajnimit fillestar.

Kandidatet e ENM-së kanë realizuar edhe një vizitë në Qendrën Korrektues në Lipjan, ku nga zyrtarët e kësaj qendre janë njoftuar rreth rolit dhe mandatit të qendrës, strukturën e organizimit dhe funksionimit të saj si dhe kategoritë e personave që janë në mbajtje në këtë qendër korrektuese. Më tej së bashku me stafin e qendrës, vizituan ambientet e institucionit, duke parë në këtë formë, për së afërmi të gjitha mjediset me të cilat disponon Qendra Korrektuese në Lipjan, kushtet dhe aktivitetet që ajo ofron për personat që janë në mbajtje brenda saj si dhe trajtimi mjekësor dhe psikologjik i tyre. 

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe janë realizuar takime edhe me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtarë si, Gjykata Kushtetuese, gjyqtarë nga EULEX-i, përfaqësues nga Projekti i Binjakëzimit në Këshillin Prokuroial të Kosovës, USAID-i, Këshilli i Evropës dhe GIZ-i.

Në  përfundim të programit kandidatet e ENM kanë realizuar një takim përmbyllës në Akademi, me qëllim diskutimit të përshtypjeve të rreth organizimit të programit praktik, sa kanë arritur të njoh sistemin gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë si dhe rekomandimet e tyre, për organizimin e programeve të ngjashme të përbashkëta në të ardhmen.

Kjo është gjenerata e katër me radhë e kandidatëve të Shkollës Kombëtare të Magjistraturës së Francës të cilët realizojnë këtë program.

Shpërndaje :