Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

28-03-2018

Qasja në dokumente publike dhe mbrojtja e pavarësisë në media – liria e shprehjes dhe e medias

Më 27-28 mars 2018, Akademia e Drejtësisë, në bashkëpunim me projektin “Përforcimi i ekspertizës gjyqësore mbi lirinë e shprehjes dhe medias në Evropën Juglindore – JUFREX”, organizoj trajnimin me temë: “Qasja në dokumente publike dhe mbrojtja e privatësisë në media – Liria e Shprehjes dhe e medias”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve lidhur me standardet vendore dhe ndërkombëtare në rregullimin e qasjes në dokumente publike dhe mbrojtjen e privatësisë në media.

Në ditën e parë të trajnimit u trajtua korniza ligjore në Republikën e Kosovës për të drejtën e privatësisë gjatë raportimit në media, pastaj korniza institucionale në rregullimin e privatësisë gjatë raportimit në media, roli i Agjencionit Shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe i Institucionit të Avokatit të Popullit. Gjithashtu u shtjelluan standardet e GJEDNJ në mbrojtjen e privatësisë, lirinë e shprehjes, rolin e mediave dhe gazetaria e përgjegjshme, reputacioni si pjesë e të drejtës së privatësisë, balancimi i lirisë së shprehjes dhe privatësisë, mediat dhe e drejta e privatësisë. Në vazhdim u trajtuan çështjet e xhirimeve nga mediat të seancave gjyqësore në gjykatat në Kosovë dhe praktikat më të mira. Në fokus ishte Rregullorja e KGJK-së për xhirimin e seancave gjyqësore, Vendimi i EULEX-it për xhirimin e seancave dhe shembuj nga praktika e gjykatave në Kosovë.

Ndërsa në ditën e dytë u vazhdua me trajtimin e kornizës ligjore vendore për qasje në dokumente publike, institucionet vendore për trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike, në këtë kontekst roli i Agjencionit Shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Institucioni i Avokatit të Popullit. Gjithanshëm u shtjelluan standardet e GJEDNJ në të drejtën e qasjes në dokumente publike, precedentët gjyqësorë në të drejtën e qasjes në informacione dhe një analizë e katër aktgjykimeve të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Pjesëmarrësit të ndihmuar nga trajnuesit morën pjesë në diskutimin dhe trajtimin e një rasti, ku ata ofruan zgjidhje lidhur me kërkesat që përmbante rasti e që ishte dedikuar të drejtës për qasje në informacione. Në fund u paraqiten disa shpjegime me vlerë nga  këndvështrimi  i  praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me tematiken e përmendur.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët dhe prokurorët të nivelit themelor si dhe bashkëpunëtorë profesional.

Shpërndaje :