Më 14 mars 2018, Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me Projektin e Binjakëzimit “Fuqizimi i formulimit të politikave dhe hartimit të legjislacionit - Drejtësia dhe Marrëdhëniet me Publikun” i financuar nga BE, realizoi trajnimin “Komunikimi në rastet e krizave”.
Qëllimi i trajnimit ishte ngritja dhe avancimi i shkathtësive personale të komunikimit tek pjesëmarrësit, si dhe zgjerimi i kapaciteteve profesionale rreth përcjelljes së mesazheve të tyre tek publiku duke iu përshtatur situatave konkrete.
Në kuadër të këtij trajnimi u trajtua roli i komunikimit në Ministrinë e Drejtësisë si dhe të institucioneve tjera siç janë KGJK-ja, KPK-ja, gjykatat dhe prokuroritë. Vëmendje iu kushtua sqarimit se si ndikojnë politikat qeveritare dhe gjyqësori tek qytetarët gjatë paraqitjes së informacionit. Gjatë u trajnimit u potencua se duhet të fuqizohet komunikimi i jashtëm dhe i brendshëm për komunikim me media, në mënyrë që t’u ofrojmë mjetet e nevojshme për t’i ndihmuar ato që të ballafaqohen me sfidat e punës së përditshme në komunikimin me publikun dhe t’i përcjellin informatat në mënyrë të shpejtë dhe efikase.
Përfitues të këtij trajnimi ishin Zëdhënës nga Këshilli Prokuroral i Kosovës, nga Gjykata e Apelit si dhe zëdhënës nga gjykatat themelore, nga ministria e drejtësisë, zyrtar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore si dhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
14-03-2018