Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

19-04-2018

Bazat e thirrjes në trashëgimi dhe rendet ligjore të trashëgimisë

Më 19 prill 2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të trajnimeve të vazhdueshme organizoj trajnimin me temë: “Bazat e thirrjes në trashëgimi dhe rendet ligjore të trashëgimisë”.

Gjatë trajnimit u trajtuan trashëgimia me ligj, trashëgimia me testament dhe rendet ligjore të trashëgimisë, pjesa e domosdoshme e trashëgimisë, përjashtimi nga trashëgimia dhe procedura për shqyrtimin e pasurisë trashëgimore.

Në trajnim u potencua se Ligji për Trashëgiminë parasheh bazat për thirrje në trashëgimi, rendet ligjore të trashëgimisë, si dhe procedurën gjyqësore e cila ka të bëjë me shqyrtimin e pasurisë trashëgimore të trashëgimlënësit. Gjithashtu u theksua se ky ligj ka paraparë edhe trashëgimtarët e pjesës së domosdoshme të trashëgimisë, e që në praktikën gjyqësore ka vështirësi dhe dilema rreth përcaktimit të vëllimit të pjesës së domosdoshme dhe personave që e gëzojnë këtë të drejtë por edhe në çështjet që kanë të bëjnë me bazat e thirrjes në trashëgim dhe rendet ligjore të trashëgimisë.

Në  fokus të trajnimit ishte edhe evitimi i dilemave si dhe unifikimi i praktikës gjyqësore për çështjet e lartcekura, posaçërisht në pjesën që ka të bëjë me kompetencën – se kush ka të drejtë të vendos në lidhje me zhvillimin e procedurës për shqyrtimin e pasurisë trashëgimore, gjykatat apo noterët – kjo për shkak të mosharmonizimit të dispozitave të Ligjit për Trashëgiminë dhe Ligjit për Procedurën Jokontestimore me Ligjin për Noterinë.

Në trajnim u potencua se në bazë të ligjit baza e thirrjes në trashëgimi është e lidhur me ekzistimin e fakteve të caktuara që kanë lidhmëri me afërsinë familjare të trashëgimlënësit.   Trashëgimia me ligj zakonisht vije në shprehje kur trashëgimlënësi nuk ka lënë testament ose kur ka lënë testament, por ka disponuar me një pjesë të pasurisë trashëgimore dhe në rastet kur testamenti i hartuar është  pjesërisht ose tërësisht i pa vlefshëm.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore – departamenteve të përgjithshme - divizionet civil si edhe bashkëpunëtorët profesional në gjykata.

Shpërndaje :