Gjatë muajit prill 2018, në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar për prokurorët e sapo emëruar, janë zhvilluar aktivitete trajnuese të cilat kanë përfshirë trajnimin teorik dhe atë praktikë.
Në kuadër të trajnimit teorik, janë zhvilluar aktivitetet si në vijim: nën-moduli “Kodi penal - pjesa e përgjithshme “ është realizuar përmes katër (4) sesioneve trajnuese në këtë periudhë, nën-moduli “Kodi Penal – pjesa e veçantë” katër (4) sesione trajnuese, nën moduli “Konventa Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut” tri (3) sesione trajnimi, dhe nën moduli “Fillimi i hetimit formal dhe procedura penale” tri (3) sesione trajnimi.
Në kuadër të nën modulit Kodi Penal – pjesa e përgjithshme dhe e veçantë janë elaboruar këto tema: përgjegjësia penale, fazat e kryerjes së veprës penale, funksioni dhe sistemi i sanksioneve penale, karakteristikat kryesore të ekzekutimit të sanksioneve penale, veprat penale nga kapitulli XXVII, XXVII, XXVII, dhe XXIX. Ndërsa fokusi i nën modulit - Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka qëndruar tek: Këshilli i Evropës, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkatësisht neni 2, neni 4 i Protokollit 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjithashtu gjatë kësaj periudhe në kuadër të kompetencës profesionale, prokurorët e sapo emëruar kanë pasur mundësi të shtjellojnë dhe zgjerojnë njohuritë mbi procedurën paraprake-parashtrimi i kallëzimit penal, fillimi dhe kohëzgjatja e hetimeve si dhe pezullimi dhe pushimi i hetimeve.
Ndërsa komponenta e trajnimit praktikë, për këtë periudhë është realizuar përmes vijimit të praktikës nga ana e prokurorëve të sapoemëruar në prokuroritë përkatëse, konform orarit të përcaktuar me program. Prokurorët e sapo emëruar gjatë muajit prill po ashtu kanë realizuar trajnimin në Doganë e Kosovës të cilët kanë pasur mundësi të diskutojnë për rolin, strukturën dhe problemet e shfaqura në praktikë.
Trajnimin fillestar për prokurorët e sapo emëruar janë duke e ndjekur 22 prokuror të shtetit të sapo emëruar.
29-04-2018