Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

29-04-2018

Aktivitete e realizuara në muajin prill në trajnimin fillestar per gjyqtarët e sapo emëruar

Akademia e Drejtësisë, gjatë muajit prill në kuadër të trajnimit fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar, ka vazhduar me realizimin e aktiviteteve të planifikuara sipas programit trajnues.

Në kuadër të trajnimit teorik, janë zhvilluar aktivitetet si në vijim: nën-moduli “Procedura Përmbarimore” është realizuar përmes dy (2) sesioneve trajnuese, nën-moduli “Procedura Kontestimore – pjesa e dytë” katër (4) sesione trajnuese, nën moduli “Marrja dhe administrimi i provave në procedurën civile ” tri (3) sesione trajnuese, nën moduli “E drejta familjare” tri  (3) sesione trajnuese,  si dhe nën moduli “E drejta trashëgimore” dy (2) sesione trajnuese.

Në kuadër të  nën moduli Procedura Kontestimore – pjesa e dytë janë elaboruar këto tema: sigurimi i kërkesëpadisë, ndërprerja dhe pushimi i procedurës kontestimore, mosrespektimi i gjykatës, shpenzimet e procedurës kontestimore. Nga nën modulit Procedura Përmbarimore janë shtjelluar: përmbarimi në sendet e luajtshme dhe të paluajtshme, mjetet juridike në procedurën përmbarimore  si dhe kthimi i punëtorit në punë.

Gjatë kësaj periudhe në kuadër të nën modulit e drejta familjare janë trajtuar: gjinia dhe llojet e saj, të drejtat dhe detyrat e bashkëshortëve, zgjidhja e martesës, procedura e shkurorëzimit, detyrimi për ushqim dhe e drejta prindërore, kundërshtimi dhe vërtetimi i amësisë apo i atësisë, birësimi, dhe marrëdhëniet pasurore në mes bashkëshortëve. Po ashtu në pjesën e trajnimit teorik në këtë periudhë është realizuar edhe nën moduli e drejta trashëgimore ku fokusi ka qëndruar tek  trashëgimia në bazë të ligjit, pjesa e domosdoshme dhe trashëgimtarët e domosdoshëm dhe transaksionet ndërmjet të gjallëve, trashëgimia në bazë të testamentit, padenjësia dhe përjashtimi i trashëgimtarëve të domosdoshëm, procedura për shqyrtimin e trashëgimisë, hapja e trashëgimisë, si dhe ndarja e trashëgimisë. Gjatë kësaj periudhe në kuadër të kompetencës profesionale gjyqtarët e sapo emëruar kanë pasur mundësi të shtjellojnë dhe zgjerojnë njohuritë lidhur me dëshmitarët dhe ekspertët në rastin e marrjes së provës, të kuptojnë zotësinë e personave të cilët duhet të dëshmojnë me qëllim të vërtetimit të fakteve relevante në një çështje kontestuese, si dhe rolin e procedimit të ekspertëve nga fushat përkatëse. 

Ndërsa komponenta e trajnimit praktikë, për këtë periudhë është realizuar përmes vijimit të praktikës nga ana e gjyqtarëve të sapoemëruar në gjykata përkatëse, konform orarit të përcaktuar me program. Gjyqtarët e sapo emëruar gjatë muajit prill po ashtu kanë realizuar trajnimin në Shërbimin Sprovues të Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit të cilët kanë pasur mundësi të diskutojnë për rolin, strukturën dhe problemet e shfaqura në praktikë.

Trajnimin fillestar për gjyqtarët e sapo emëruar janë duke e ndjekur 54 gjyqtarë të sapo emëruar ku pesë prej tyre janë nga komuniteti serb.

Shpërndaje :