Më 01 qershor 2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme, organizoj trajnimin me temë: “Kontrata e sigurimit-kompensimi i dëmit dhe regresimi”.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me kontratën e sigurimit në Republikën e Kosovës.
Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan subjektet e të drejtës së sigurimeve, sigurimi nga auto-përgjegjësia, polica e sigurimit TPL dhe kufijtë e mbulesës si dhe kërkesa për kompensim të dëmit. Ndërsa në pjesën e dytë u vazhdua me trajtimin e shpërblimit të dëmit material dhe jomaterial nga polica e sigurimit, e drejta në rentë dhe regresimi i dëmit.
Në trajnim u potencua se përcaktimi i saktë i përgjegjësisë së shkaktarit të dëmit dhe të drejtës së palës të dëmtuar në marrëdhënien juridike civile jokontraktuale është një prej sfidave të gjyqtareve të lëmisë civile, të cilët shqyrtojnë çështjet e kompensimit të dëmit. Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve me dispozitat e tij nga neni 136 deri në nenin 193, ka rregulluar marrëdhëniet e detyrimeve jashtë-kontraktuese, respektivisht shkaktimin e dëmin dhe çështjet tjera që ndërlidhen më të, veçmas dy llojet e shpërblimit të dëmit, shpërblimi i dëmit material dhe shpërblimi i dëmit jo material.
Në trajnim u potencua se për shkak të rëndësisë së veçantë, dhe duke u bazuar në faktin se dëmet më së shpeshti paraqiten në rastet e sigurimit nga auto përgjegjësia, këtu fokusi ishte te kontrata e sigurimit në fushën e auto përgjegjësisë dhe shpërblimi i dëmit si rrjedhojë e dëmeve të shkaktuara e të cilat janë të përfshira sipas mbulesës siguruese, si dhe të drejtën e regresit të dëmit të shpërblyer në rastet kur kjo mund të kërkohet.
Në vazhdim u veçua konstatimi se në praktikë gjykatat përballen me një numër të madh të lëndëve, ku kërkesë është shpërblimi i dëmit material edhe jo material, sidomos dëmet e shkaktuara nga aksidentet në komunikacion. Praktika gjyqësore është relativisht e zhvilluar lidhur me këtë temë, mirëpo numri i madh rasteve nëpër gjykatat e Republikës së Kosovës, dinamika e rritjes së numrit të rasteve të paraqitura për shpërblimin e dëmit, ka ndikuar që të ketë dallime në praktikën gjyqësore sidomos sa i përket kritereve për përcaktimin e lartësisë së dëmit, posaçërisht atij jomaterial.
Gjatë trajnimit pjesëmarrësit së bashku me trajnuesit morën pjesë në një debat të frytshëm dhe interaktiv lidhur me pyetjet dhe paqartësitë e ngritura përmes analizës së dispozitave ligjore dhe mënyrave si duhet zbatuar drejtë ato në praktikë, gjithashtu u përdoren edhe metoda e shpjegimit të pjesshëm teorik dhe raste nga praktika gjyqësore si dhe diskutime për mënyrën e vendosjes meritore për rastet konkrete.
Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e gjykatave themelore nga regjione të ndryshme të Kosovës.
01-06-2018