Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

13-06-2018

Trajnim praktik në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Më datën 13 qershor  2018, Akademia e Drejtësisë, në kuadër të Programit të Trajnimit Fillestar për gjyqtarët e sapoemëruar, ka realizuar trajnimin praktik në Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Qëllimi i trajnimit ishte që gjyqtarët e sapo emëruar të krijojnë një pasqyrë të qartë rreth mandatit, rolit, strukturës organizative dhe përgjegjësive të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Fillimisht, në kuadër të kësaj vizite, Drejtori i Zyrës Kombëtare të Auditimit, prezantoi një historik të shkurtër të themelimit dhe zhvillimit, mandatin dhe funksionin e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe punës audituese që kryen si dhe për bashkëpunimin me legjislativin dhe organet e drejtësisë. Po ashtu u përmendën sfidat dhe vështirësitë me të cilat aktualisht ballafaqohen në përmbushje e mandatit të tyre ligjor.

Gjithashtu, në mënyrë të hollësishme u trajtua pavarësia e Zyrës Kombëtare të Auditimit, funksionet e brendshme dhe të jashtme të auditimit, si dhe auditimi i rregullsisë dhe performancës.

Trajnimi u realizua përmes shpjegimeve teorike dhe diskutimeve interaktive, me ç ‘rast gjyqtarët e sapoemëruar patën rastin të shtrojnë pyetje të ndryshme për çështjet që ishin në fokus të trajnimit.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarët e sapo emëruar, gjenerata e VI-të e PTF-së.

Shpërndaje :