Me datë 21-22 nëntor 2018 në Zagreb, është mbajtur Takimi i 3-të i Rrjetit të Institucioneve të Trajnimit Gjyqësor të Evropës Jug Lindore “Sundimi i Ligjit në Qendër të Procesit ë Zgjerimit dhe Bashkëpunimit Rajonal”, i organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), i mbështetur nga Ministria e Drejtësisë e Kroacisë.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i rëndësisë së avancimit të bashkëpunimit rajonal në fushën e trajnimit gjyqësor si një ndër faktorët kyç për pavarësinë, paanshmërinë, llogaridhënien dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e trajnimit gjyqësor.
Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësve u janë drejtuar Udhëheqësi i Zyrës Ndërlidhëse të RCC në Bruksel, si dhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë së Kroacisë, të cilët nënvizuan rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve në sistemin gjyqësor në Ballkanin Perëndimor, si dhe bashkëpunimin rajonal në drejtim të arritjes së këtij qëllimi.
Në takim u trajtuan shumë aspekte të rëndësishme të punës së institucioneve të sistemit gjyqësor si: sundimi i ligjit si kusht “sine qua non’ për stabilitet politik dhe ekonomik, efikasiteti i drejtësisë - roli i trajnimit gjyqësor dhe zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve si mjete të rëndësishme për përmirësimin e efikasitetit – trendet në EJL, bashkëpunimi rajonal si vlerë e shtuar, programi dhe bashkëpunimi rajonal për trajnimin gjyqësor në BE, bashkëpunimi në mes institucioneve të trajnimit gjyqësor dhe fakulteteve juridike për të drejtën e BE-së si dhe bashkëpunimi i këshillave gjyqësor dhe prokurorial me institucionet e trajnimit gjyqësor për krijimin, miratimin dhe vlerësimin e programeve të trajnimit, si dhe zgjedhjen dhe vlerësimin e trajnuesve.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe prezantimi nga CEPEJ i Raportit për vitin 2018 i Komisionit për Efikasitet të Gjyqësorit me fokus në vendet e Ballkanit Perëndimor, prezantimi i Raportit të Programit HELP, të Këshillit të Evropës, si dhe prezantimi i draft dokumentit për standardet minimale dhe kriteret për bashkëpunim rajonal në fushën gjyqësore
Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të këshillave gjyqësore dhe prokuroriale, ministrisë së drejtësisë institucioneve të trajnimit gjyqësor të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të GIZ-it, EJTN, dhe SEE Law School.
22-11-2018