Prishtinë 18 janar 2019, Në vazhdimësi të bashkëpunimit të mirë është zhvilluar një takim ndërmjet përfaqësueseve të Akademisë së Drejtësisë dhe UNDP-së.
Në fillim të këtij takimi z. Valon Kurtaj - Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij për UNDP-në, si përkrahëse e Akademisë në përmbushjen e mandatit të saj dhe realizimin e aktiviteteve gjatë viteve të kaluara dhe gatishmërinë për mbështetje edhe gjatë vitit 2019.
Disa nga temat e bashkëpunimit të ndërsjellë që diskutuan gjatë takimit janë: organizimi i trajnimeve për Agjencinë për ndihmë juridike falas; organizimi i trajnimeve për zhvillimin e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të integruar në sistemin gjyqësor dhe prokurorial; ngritja e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me KEDNJ; publikimi i doracakëve dhe materialeve për harmonizimin e praktikës gjyqësore; mbështetje në ngritjen e kapaciteteve të stafit të Akademisë; mbështetje në fushën e përkthimeve dhe në përditësimin e platformës së mësimit në distancë.
z. Ardian Latifaj, Menaxher i Projektit “Mbështetje për Forcimin e Sundimit të Ligjit në Kosovë” edhe gjatë këtij takimi ritheksoi se bashkëpunimi me Akademinë e Drejtësisë është i një rëndësie të veçantë dhe se UNDP do të mbështes Akademinë edhe më tutje me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të sistemit gjyqësor, prokurorial dhe profesionistëve ligjor në Kosovë.
Në fund të takimit, të dy palët u koordinuan për kohën e realizimit të aktiviteteve që u diskutuan.
18-01-2019