Më 9, 10 dhe 11 mars, si dhe më 14,15 dhe 16 mars 2011, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë së SHBA-ve (OPDAT) dhe Institutit Kombëtar të Avokimit gjatë Gjykimit (NITA) të SHBA-ve në kuadër të Programit të Vazhdueshëm për Arsimim Ligjor si dhe Programit të Trajnimeve për Avancim ka realizuar dy sesione trajnuese treditore me temë: “Ndërtimi i Shkathtësive të Përfaqësimit gjatë Gjykimit “
Objektivë kryesore e këtyre trajnimeve ishte që pjesëmarrësit të jenë në gjendje të përdorin teknikat më të avancuara të përfaqësimit gjatë gjykimit .
Çështjet të cilat janë përfshirë gjatë këtyre sesioneve trajnuese kryesisht kishin të bënin me teknikat e marrjes në pyetje të drejtperdrejtë, të tërthortë, vënia në dyshim, rimarrja në pyetje të pandehurve, dëshmitarëve, ekspertëve, si dhe teknikat e paraqitjes së fjalës hyrëse dhe argumentimit përfundimtar, si nga ana e prokurorit ashtu edhe nga ana e avokatit mbrojtës.
Gjatë këtyre trajnimeve pjesëmarrësve ju mundësua që përmes punës në grupe të demonstrojnë shkathtësitë e tyre të përfaqësimit gjatë gjykimit, duke punuar rreth një rasti praktik dhe duke përdorur teknikat e prezantuara nga trajnuesit vendor të trajnuar posaçërisht për këtë trajnim.
Gjithashtu, të gjitha prezantimet e pjesëmarrësve janë incizuar, me qëllim të marrjes së sugjerimeve dhe udhëzimeve për paraqitjen e tyre si dhe në fund pjesmarrësve u janë shpërndarë çertifikatat për përfundimin me sukses të trajnimit.
Me këtë rast këshilltarja ligjore e Ambasadës Amerikane në Kosovë, znj. Kimberly Moore shprehu, kënaqësi të veçantë për përgatitjen profesionale dhe avancimin e vazhdueshëm të stafit trajnues sipas programit NITA-s dhe njëkohësisht e vlerësoj lartë kontributin e trajnuesve të IGJK-së në organizimin dhe realizimin me sukses të trajnimit.
Përfitues të këtyre trajnimeve ishin gjyqtarë dhe prokurorë nga të gjitha nivelet dhe regjionet e Kosovës.
09-03-2011