Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

22-02-2019

Takimi i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë

Prishtinë, më 22 shkurt 2019, në Akademinë e Drejtësisë është mbajtur takimi i pesëmbëdhjetë me radhë i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë i udhëhequr nga Kryesuesi i Këshillit z. Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit.

Në këtë takim z. Valon Kurtaj, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë, prezantoi Raportin Vjetor të Punës dhe Raportin Financiar të Akademisë për vitin 2018. Z. Kurtaj theksoi se  Raporti Vjetor është hartuar në bazë të standardeve të cilat janë të caktuara nga Kuvendi i Kosovës ku në pjesën hyrëse paraqet të dhëna për veprimtarinë, funksionet dhe programet të cilat i zhvillon Akademia.

Raporti përmban të gjitha aktivitetet që ka realizuar Akademia e Drejtësisë gjatë vitit 2018, ndërsa raporti financiar i Akademisë paraqet një pasqyrë të buxhetit dhe shpenzimeve të AD-së për vitin 2018. Anëtarët e Këshillit Drejtues, vlerësuan punën e Akademisë gjatë vitit 2018, ndërsa raportin vjetor e miratuan njëzëri.

Këshilli Drejtues në këtë takim miratoi Programin e Trajnimit Fillestar për gjyqtarë dhe kërkesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për fillimin e Trajnimit Fillestar për 37 gjyqtarët e ri të cilët janë dekretuar dhe miratoi emërimin e mentorëve në trajnimin praktik për këta gjyqtarë.

Gjatë këtij takimi Këshilli Drejtues diskutoi edhe për organizimin  e trajnimeve me mbështetjen e donatorëve.

Në këtë takim Këshilli Drejtues, sipas agjendës, diskutoi dhe mori edhe disa vendime tjera me rëndësi për punën e Akademisë së Drejtësisë. 

Shpërndaje :