Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

14-03-2019

Dhuna në Familje

Më 14.03.2019 Akademia e Drejtësisë në kuadër të trajnimeve për profesionet e lira, me kërkesën e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në mbështetje të UNDP-së ka realizuar trajnimin me temë: “Dhuna në familje”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte zbatimi i drejtë i dispozitave ligjore të Ligjit për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe krijimi i praktikave më të mira në ofrimin e ndihmës juridike në rastet e tilla nga ana e zyrtarëve të ndihmës juridike falas.

Me rastin e këtij trajnimi u trajtuan konceptet themelore të Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje i cili kërkon pa diskriminim që ti ndihmojë personat e prekur nga Dhuna në familje si dhe çështjet tjera si: format e shfaqjes së dhunës në familje, urdhri për mbrojtje, kushtet për caktimin e urdhrit për mbrojtje si dhe masat për parandalimin e dhunës. Gjithashtu vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe prezencës së zyrtarit për mbrojtjen e viktimave gjatë deklaratës së parë të dhënë nga viktima duke e ditur se ajo deklaratë është më reale dhe më e sinqertë e cila pasqyron në përpikëri përjetimet që ka pasur. Më tej janë dhënë sqarime për rolin e policisë, Zyrës për mbrojtjen e viktimave dhe Qendrës për punë sociale si dhe vetë Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në trajtimin e këtyre rasteve.

Në pjesën e pasdites u diskutua për procedurën gjyqësore, vendimet gjyqësore, ekzekutimin e urdhrit për mbrojtje dhe pasojat për shkelje të urdhrit për mbrojtje si dhe rastet dhe problemet praktike të zyrtarëve të ANJF në trajtimin e këtyre rasteve duke adresuar zgjidhjet në pajtim me dispozitat ligjore.

Përfitues në këtë trajnim ishin  zyrtarët e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas nga gjitha regjionet. Pjesëmarrës në trajnim ishin edhe përfaqësues të OJQ-ve si CRPK, CLARD, NORMA si dhe Femrat Aktive të Gjakovës.

Shpërndaje :