Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

29-03-2019

Të drejtat e pronësisë intelektuale – markat tregtare

Më 29 mars 2019, Akademia e Drejtësisë në kuadër të PTV-së organizoj trajnimin me temë: “Të drejtat e pronësisë intelektuale – markat tregtare”. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhur me rolin dhe rëndësinë e markave tregtare.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan roli dhe llojet e markave tregtare, të drejtat e titullarëve të markave tregtare si dhe mbrojtja juridike e markave tregtare. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan mënyrat e regjistrimit dhe humbja e të drejtës nga marka tregtare, procedurat ligjore dhe aplikimin e tyre në mbrojtjen e të drejtave që rrjedhin nga markat tregtare.

Që në fillim të këtij trajnimi u potencua se markat tregtare janë kategori e rëndësishme nga të drejtat e pronësisë intelektuale që luajnë rol të rëndësishëm në ekonominë e tregut, pasi që ndërmarrjet gjatë zhvillimit të afarizmit të tyre përdorin markat tregtare me qëllim të dallimit të produkteve dhe shërbimeve të tyre nga produktet dhe shërbimet e të tjerëve, si dhe për mbrojtjen e produkteve të tyre.

Në vazhdim u theksua se mbrojtja e markave tregtare garantohet me Ligjin për Markat Tregtare, Kodin Penal si dhe me masat tjera administrative duke përfshirë ato doganore, megjithatë në praktikën juridike paraqiten vështirësi të shumta në zbatimin e dispozitave ligjore dhe ofrimin e mbrojtjes efektive. Numri i kontesteve në praktikën gjyqësore që rrjedhin nga markat tregtare është i konsiderueshëm, me tendencë të rritjes.

Duke rezimuar u konkludua se sipas standardeve ndërkombëtare të përcaktuara veçmas me Marrëveshjen TRIPS dhe direktivat e BE-së, shtetet duhet të sigurojnë mjete juridike të lehta, efektiv dhe jo të kushtueshme në mënyrë që bartësit të mos hezitojnë të e kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre pranë gjyqësorit. Andaj, se një shtet për t’i përmbush obligimet ndërkombëtare në këtë lëmi, nuk është e mjaftueshme që vetëm në legjislacion të parasheh se bartësi i një marke tregtare ka këtë apo atë të drejtë: por mjeti juridik në dispozicion duhet të jetë de facto efektiv dhe i zbatueshëm shpejtë.

Në këtë trajnim pjesëmarrësit përmes materialit dhe shpjegimeve të pjesshme teorike, diskutimeve, analizës së rasteve studimore, zbërthyen dhe sqaruan standardet ndërkombëtare dhe evropiane, dispozitat e Ligjit për markat tregtare dhe dispozitat tjera në fuqi që rregullojnë këtë lëmi. Gjithashtu në këtë trajnim përveç shpjegimit teorik pati edhe raste nga praktika gjyqësore si dhe u demonstruan mënyra të vendosjes meritore në raste konkrete hipotetike. E tërë kjo u shoqërua me paraqitje edhe të rasteve nga praktika e GJDBE-së dhe praktika gjyqësore në vendin tonë.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët nga departamenti për çështje ekonomike i Gjykatës së Apelit dhe departamenti për çështje ekonomike i Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe gjyqtarët e prokurorët nga lëmia penale të cilët shqyrtojnë lëndë të natyrës së krimit financiar veçmas markat tregtare.

Shpërndaje :