Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

14-05-2019

Bashkëpunimi Juridik Ndërkombëtarë në çështjet penale

Më 14 maj 2019,  Akademia e Drejtësisë në kuadër të Programit për Trajnime të Vazhdueshme dhe në mbështetje nga GIZ, realizoi trajnimin me temë “Bashkëpunimi Juridik Ndërkombëtar në çështjet Penale”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte ngritja e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve për zbatimin e drejtë të dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me ndihmën juridike ndërkombëtare në çështje penale duke filluar nga hartimi kërkesave për ndihmë juridike ashtu edhe trajtimi i tyre kur paraqiten nga shtetet kërkuese si dhe për hartimin e vendimeve në procedurën e ekstradimit. 

Gjatë trajnimit është elaboruar baza ligjore dhe përkufizimet e veprimeve të caktuara të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, duke i vënë theks të veçantë ekstradimit, rolit të Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces, si dhe mundësive të ndryshme për bashkëpunim me shtetet e ndryshme.

Gjithashtu përmes shembujve nga praktika gjyqësore u shpjeguan aspektet si: ekstradimi, roli i prokurorisë themelore pas pranimit të kërkesës për ekstradim, procedura gjyqësore për ekstradim, procedura e thjeshtësuar e ekstradimit, vendimet e gjykatës lidhur me kërkesën për ekstradim, vendimet e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me të njëjtat, kërkesat konkurruese për ekstradim, transferimi i procedurës penale, transferimi i personave të dënuar, njohja dhe ekzekutimi i aktgjykimeve si dhe ndihma juridike e ndërsjellë.

Përfitues të këtij trajnimi ishin gjyqtarë dhe prokurorë nga instanca themelore dhe ajo e Apelit, e të gjitha rajoneve të Republikës së Kosovës.

Shpërndaje :