Konferenca Vjetore për Gjyqësorin e Kosovës
Nën organizimin e përbashkët në mes të Gjykatës Supreme, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Institutit Gjyqësor të Kosovës, dhe OSBE-së Misioni në Kosovë, më 3 dhjetor 2011 u organizua Konferenca Vjetore për Gjyqësorin e cila është konferenca parë e këtij lloji në Kosovë.
Qëllimi i kësaj konference ishte diskutimi lidhur me pavarësinë e gjyqësorit dhe risitë lidhur me zbatimin e Ligjit për Gjykatat, adresimin e çështjeve që ndërlidhen me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, adresimi i çështjeve që ndërlidhen me Gjykatën Supreme dhe me administrimin e drejtësisë, raportimet nga të gjitha pesë gjykatat e qarkut, me sfidat e identifikuara lidhur me zbatimin e Ligjit për Gjykatat dhe administrimin e drejtësisë.
Në këtë konferencë morën pjesë të gjithë gjyqtarët e Kosovës të cilët patën rastin të shprehin shqetësimet e tyre për sfidat aktuale dhe ato që do të dalin si pasojë e zbatimit të Ligjit për Gjykatat, si dhe të japin alternativat për tejkalimin e këtyre sfidave.
Konferencën e përshëndetën dhe mbajtën fjalime rasti edhe Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, zv. Ambasadori Edward Joseph, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë z. Hajredin Kuçi, udhëheqësi i Operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Bashkimit Evropian në Kosovës z. Christof Stock, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Enver Peci dhe Kryetari i Gjykatës Supreme z. Fejzullah Hasani.
Në këtë Konference përveç tërë gjyqësorit në Kosovë, morën pjesë edhe të ftuar nga vendet e rajonit, përfaqësues të këshillave gjyqësore nga Turqia (përfshirë përfaqësuesit e Akademisë së Drejtësisë), Maqedonia, Mali i Zi si dhe nga Shqipëria. Morën pjesë edhe të ftuar nga institucionet ndërkombëtare që mbështesin gjyqësorin e Kosovës.
Përfundimet e kësaj konference do t’i shërbejnë sistemit gjyqësor të Kosovës në ngritjen e efikasitetit në zbatimin e reformave të parapara me Ligjin për Gjykata.
03-12-2011