Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

11-04-2010

Trajnim: “Të Drejtat e Viktimave të Krimit: Drejtësi. Dinjitet. Respekt.”

Më 11-26 prill 2010, Instituti Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me Zyrën Tejoqeanike (OPDAT) Departamenti i Drejtësisë së SHBA-ve Zyra në Prishtinë, organizoj një trajnim praktik në Qarkun Lindor të Shtetit të Karolinës së Veriut dhe Washington D.C, SHBA, nën temën: “Të Drejtat e Viktimave të Krimit: Drejtësi. Dinjitet. Respekt”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte njohja me praktikat më të mira të SHBA-ve në trajtimin e viktimave të krimit në përgjithësi. Kurse, theks i veçantë, iu kushtua:

  -trajtimit të viktimave të dhunës në familje, 

  -  trafikimit me qenie njerëzore, dhe

   Veprave të integritetit seksual.

Andaj, shtesë ligjëratave profesionale mbi temat e lartcekura, pjesëmarrësit patën mundësi që drejtpërsëdrejti të njoftohen me sistemin e shërbimeve që u ofrohen këtyre viktimave nga institucionet dhe strehimoret e ndryshme, duke filluar nga aktivitetet  rekreative, shërbimet profesionale, psikologjike, mjekësore dhe masat e sigurisë për të dy gjinitë.

Ndër të tjera, në vazhdimësi të këtij trajnimi u shtjelluan çështjet lidhur me dukurin, faktorët dhe hetimin e veprave:

- të dhunës në familje,

- dhunës seksuale,

- pornografisë së fëmijëve,

- veprat e trafikimit me qenie njerëzore,

- përndjekjes nga psikopatët, dhe

- korrupsionit të zyrtarëve publik.

Vëmendje e posaçme iu kushtua:

- rolit të etikës profesionale në trajtimin e viktimave,

- programeve të veçanta pas-viktimizimit,

- rasteve konkrete nga praktika,

- marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë,

- shërbimeve sociale, dhe në përmbyllje

- programit të veçantë kompjuterik për prezantimin e rasteve në gjykim. 

Me këtë rast, ja vlen të theksohet se delegacioni në fjalë vizitoj dhe vijoj trajnim profesional në këto institucione:

- Prokurorinë Federale të Shtetit,

- Gjykatën e Qarkut Federale,

- Strehimoren e Përgjithshme “Interact”,

- Strehimoren për Viktimat e Dhunës në Familje,

- Qendrën e Reagimit të Shpejtë,

- Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar,

- Qendrën Kombëtare të Nderimit të Viktimave të Krimit në Washington,

- Vijimin e Javës Kombëtare për Nderim të Viktimave, ceremoni e cila u  mbajt në Washington dhe Karolinë të Veriut,

-  Qendrën e Avokimit të Fëmijëve Viktima “Tedi Bear”,

- Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Qarkut dhe Departamentin e Sherifit të Policisë të Regjionit Pitt, dhe

- Departamentin e Policisë në Welmington.

Për më tepër, nga përmbajtja e lartcekur mund të shihet se trajnimi ishte praktik dhe i njëjti u realizua përmes metodave më të avancuara të trajnimit profesional për të rritur, kështu që ja vlen të theksohet që gjatë këtij trajnimi edhe pjesëmarrësit Kosovarë, konkretisht z. Ismet Kabashi, Kryeprokurori i Shtetit dhe z. Besim Kelmendi, prokurorë nga Prokuroria Speciale e Kosovës patën rastin të ligjërojnë para audiencës amerikane të përbërë prej studentëve të Fakultetit Juridik të Karolinës së Veriut dhe Task-Forcës kundër dukurive të lartcekura.

Përfituesit e këtij trajnimi ishin Kryeprokurori i Shtetit të Kosovës, prokurorë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Prokuroritë e Qarkut, përfaqsues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punës Sociale dhe OJQ-të e ndryshme nga e gjithë Kosova të cilat merren me strehimin, trajtimin e viktimave përmes shërbimeve të ndryshme profesionale.

Shpërndaje :