Lajme dhe Aktivitete - Arkiva

14-11-2019

Procedura e falimentimit të shoqërive tregtare

Më 14 nëntor 2019, Akademia e Drejtësisë organizoj trajnimin me përkrahjen e World Bank Group - IFC me temë: ”Procedura e falimentimit të shoqërive tregtare” në kuadër të PTV-së. Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të gjyqtarëve lidhur me falimentimin, procedurën e likuidimit dhe riorganizimit të personave juridik në procedurën e falimentimit.

Në pjesën e parë të trajnimit u trajtuan: Dispozitat e përgjithshme të Ligjit; procedurat e përshpejtuara (NVM dhe para-pakot); fillimi, hapja dhe pasojat e rastit; kërkesat e kreditorëve dhe riorganizimi. Ndërsa në pjesën e dytë u trajtuan: Likuidimi; lirimi individual dhe mbyllja e rastit si dhe dispozitat ndërkufitare.

Në trajnim u theksua se Ligji i ri për falimentimin u paraqit si nevojë e domosdoshme për rregullimin e procedurës së likuidimit dhe riorganizimit të shoqërive tregtare, pasi ligji i mëparshm ishte i pakompletuar, mbështetej në rregullore të cilat asnjëherë nuk ishin shpallur dhe si pasojë ky ligji u bë i pazbatueshëm. Ligji i ri për falimentimin përbën ligj gjithëpërfshirës mbi falimentimin dhe josolvencën, i cili i pasqyron praktikat më të mira ndërkombëtare, por përmban shumë institute dhe specifika tjera të cilat pothuajse ishin të panjohura në sistemin tonë juridik.

Në vazhdim u potencua se ky ligj rregullon procedurat e likuidimit dhe riorganizimit të të gjitha shoqërive tregtare, duke përfshirë edhe bizneset individuale, ortakëritë dhe shoqëritë komandite, që përbën ndryshim thelbësor nga ligji i vjetër. Ligji përmban nëntë kapituj në të cilët rregullon procedurën e riorganizimit dhe likuidimit duke përfshire edhe konceptet e reja si: Lehtësimi i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, Lirimi Individual dhe Procedurat ndërkombëtare. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji pritet një rritje e dukshme e rasteve, prandaj duke pasur parasysh risitë që sjell ky ligj dhe rritja e rasteve që pritet të paraqiten para gjykatave, trajtimi i kësaj tematike u vlerësua si shumë me rëndësi për avancimin e njohurive të gjyqtarëve në këtë lëmi.

Ndërsa në fund u potencua se Ligji i ri e adopton Ligjin Model të UNCITRAL-it mbi Falimentimet ndër-kufitare dhe u lejon administratorëve të huaj të hapin raste të kufizuara në Kosovë për t’i administruar asetet në Kosovë që janë pronë ose përfshijnë rast të huaj.

Gjatë këtij trajnimi u përdor dhe u aplikua një metodologji interaktive e cila përbëhej nga diskutimi dhe bashkëbisedimi, metodat e shpjegimit të pjesshëm teorik mbi falimentimin, procedurën e likuidimit dhe riorganizimit të personave juridik në procedurën e falimentimit; prezantim i rasteve hipotetike dhe rasteve konkrete nga praktika gjyqësore vendore dhe në regjion si dhe diskutime për mënyrën e vendosjes meritore për rastet konkrete.

Përfitues në këtë trajnim ishin gjyqtarët e Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, gjyqtarët e departamenteve të përgjithshme-divizionet civile të gjykatave themelore si dhe administratorët e falimentimit.

Shpërndaje :